Betimi i Avdyl Agës
Izet Abdyli
Bora e bardhë si një jorgan kishte mbuluar peizazhin e fshatit Guri i Plakës. Terri po binte ngadalë dhe tek tuk ende shiheshin fjollat e tymit që dilnin nga oxhaqet e ndezura këtë natë dimri. Fshatin po e mbyste qetësia e cila herë-herë prishej nga të lehurat e qenve. Meshkujt e Adylit pasi rehatuan bagëtinë u mbyllen në kullën dykatëshe e cila ishte ndërtuar qysh në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Kësaj kulle ia kishin mësy dhe kishin bërë konak burra me nam, pleqnarë e luftëtarë. Aty kishte bërë konak edhe Begu i Pejës i cili ishte në miqësi me Avdyl Agën, pleqnari Xhemajl Abria e trimat me nam si Azem Bejta e Shaban Polluzha. Por sonte ai kishte një mysafir të veçantë, Bresillanin e Malësisë me të cilin Avdyl Aga ishte shok dhe i ishin gjetur njëri-tjetrit në ditë të mira e të vështira. Meshkujt e Avdylit po i bënin hyzmet mysafirit sipas traditës, përderisa i Zoti shtëpisë po e mbante me llafe duke pirë duhan të sertë kaçak, të cilin e kultivonte vetë. Muhabeti nuk kishte të sosur. Po afrohej mezi i natës dhe pasi pinë edhe nga një kafe sade, ranë për të fjetur. Siç ishte adeti meshkujt e Avdylit shkuan në sobat e tyre, ndërsa Avdyli me mysafirin ranë për të fjetur në kullë. Avdyli i lodhur edhe nga mosha shpejt e zuri gjumë dhe kur filloi të gërhiste mysafir u ngrit ngadalë dhe doli pa u vërejtur. Zbriti shkallëve të kullës me kujdes, i hoqi shulin e derës dhe sa ora doli jashtë dyerve të oborrit. Hëna po i ndihmonte në gjetjen e rrugës për në fshatin Bletar i cili kishte nja tre çerek orë rrugë. Fshati ishte në qetësi të plotë dhe ai me lehtësi arriti që të hyj në ahurin e një shtëpie në skaj të fshatit ku pasi i zgjidhi zingjirin nga grazhdi një lope filloj ta tërheq ngadalë duke e joshur lopën me tramak misri. Pas një rrugëtimi për një orë e një çerek, ai arriti në Malësi, e lidhi lopën në ahurin e tij dhe u nisë përsëri për në kullën e Avdyl Agës. Pa ia dhënë ferku i sabahut ai u përvodh pa u diktuar nga askush, hyri në kullë dhe i stërlodhur e zuri gjumi shumë shpejt. Kur ia dha ferku sabahut Avdyl Aga po shprushte me unat e ndezura në oxhak atij i doli gjumi, i lumtur që nuk ishte diktuar dhe gjithçka kishte ecur sipas planit. Pasi hangër mëngjes, me izën e të Zotit të shtëpisë mori rrugën për te shtëpia. Kur arriti për habi para dyerve të shtëpisë po e prisnin dy burra, të cilët e përshëndeten çartaqejfas. Pak i shkoj mendja por nuk ishte i sigurt që ishte diktuar nga dikush. Njëri prej tyre pa e zgjatur shumë iu drejtua: jaran një lopë na keni vjedhur mbrëmë dhe gjurmët e borës na sollën tek ti. Ky e mohoj me vendosmëri, madje iu betua se ai kishte prova se as nuk kishte qenë mbrëmë në shtëpi, pasi kishte qenë mysafir të Avdyl Aga. Llafi e mundte llafin, ky ngulte në të veten, por edhe ata ishin te bindur se gjurmët e lopës përfundonin të dyert e tij. Nga zhurma që u krijua në sokak sa ora dolën edhe fqinjët, ku me i mençuri prej tyre tha se këtë punë e lanë veç beja. Edhe pse bletaret në fillim kundërshtuan u binden se sipas kanunit këto raste lahen veç me be. Aty për aty u caktua dita dhe vendi betimit ku Avdyl Aga do të betohej se Bresillani kishte qenë mysafir në kullën e tij. Edhe Avdyli ishte i gatshëm ta bëjë këtë i bindur në besnikërinë e mysafirit pa e ditur se i ka punuar diçka prapa shpinës. Dhe kur u mblodhën në odë dhe erdhi koha e betimit, Avdyl Aga serbez pa e ditur hilen e mysafirit e ngriti dorën mbi librin e shenjtë – Kuranin, por për habinë e të gjithë burrave të pranishëm, pak para se shuplaka e tij të prekte librin e shenjtë, sakaç dora e Bresillanit e ndali duke i thënë: mos! Avdyli dhe burrat në odë mbeten të habitur, përderisa Bresillani tregoj fije për pe si kishte ndodhur vjedhja e lopës, duke i kërkuar falje Avdylit të cilin e kishte vu në këtë sprovë të rëndë, ngase kishte arritur në atë pikë ku fytyra e Abdylit kishte ma vlerë dhe ai do të ndihej i turpëruar për tërë jetën. Avdyli e falënderojë për gjestin e tij që nuk e la të betohej rrejshëm e të koritej para burrave, por nga ai moment mori një vendim dhe bëri një betim tjetër që tani e tutje as ai e as trashëgimtarët e familjes Avdyli të mos betohen kurrë për askënd.