Betimi i qeverisë së re, Meta: Jam i detyruar të respektoj Kushtetutën
Në një prononcim për gazetarët nga qyteti i Korçës, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka thënë se “në çdo moment kemi qenë dhe jemi të hapur për të përmbushur të gjitha detyrimet kushtetuese sa i përket këtij procesi, pasi Kuvendi i ri tashmë ka nisur punë dhe natyrisht edhe qeveria e re duhet të fillojë sa më parë…”.
“Sa i takon demokracisë në vendin tonë, edhe ajo kuptohet që është në një gjendje problematike, nuk është ndoshta ashtu siç do donin shumë përfshirë dhe mua, por pa diskutim është shumë më mirë sesa situata katastrofike para 25 prillit, në kushtet e mungesës së një parlamenti kushtetues dhe funksional, në kushtet e zero opozitës, kështu që aktualisht, pas 25 Prillit, sidoqoftë, janë mundësitë për rivendosjen e plotë të demokracie dhe parlamenti funksional”
“E kam gjykuar të panevojshme dalien në media pas 25 prillit sepse unë besoj që i gjithë protagonizmi im jo i zakonshëm në 2 vitet e fundit, nuk ka qenë i kërkuar nga ilir Meta por i imponuar në mbrojtje të demokracisë dhe Kushtetutës në kushtet e braktisjes së opozitës dhe në kushtet e përpjekjeve të mazhorancës për të kapur çdo institucion në mënyrë të veçantë nga Gjykata Kushtetuese dhe institucionin e Presidentit që përpara zgjedhjeve dhe për të krijuar një situatë të pashpresë për demokracinë. Kështu që jam i detyruar të respektoj kushtetutën e Shqipërisë. Aktualisht askush nuk duhet të prese që presidenti të marrë përsipër detyra që i takojnë aktorëve të tjerë politikë, shpresojmë që opozita të përmbushë detyrat e saj ën parlament, që parlamenti të jetë më funksional”, ka thënë Meta.
Ndërsa i pyetur për Sali Berishën Meta ka thënë: “Nuk dëshiroj të merrem me çështje të tilla sepse nuk është kjo detyra ime, sigurisht që zoti Berisha nuk mund të rri pa e thënë që është si vera, sa më shumë koha kalon aq më tërheqës bëhet, e sigurisht aq më demokrat”.