Zgjedhet kryesuesi dhe asamblistët e rinj të Mitrovicës së Veriut

14 dhjetor 2022 | 13:43

Nexhat Uglanin nga radhët e komunitetit boshnjak është zgjedhur kryesues i ri i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, gjatë një mbledhjeje të mbajtur më 14 dhjetor.

Po ashtu, 15 asamblistë të rinj dhanë betimin. Vetëm një është nga radhët e komunitetit serb. Ai është Dushan Millunoviq nga iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe”. Ndërkaq, dy të tjerë vijnë nga radhët e komunitetit boshnjak.

Në fillim të muajit nëntor, kryetarët e katër komunave në veri, që vinin nga radhët e Listës Serbe, por edhe kryetarët e Kuvendeve Komunale dhe asamblistët, dhanë dorëheqje.

Asamblistët e rinj, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të zëvendësojnë asamblistët e Listës Serbe, që u dorëhoqën.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe ka reaguar pas betimit të asamblistëve të rinj, duke akuzuar se shqiptarët “me forcë ligjore dhe lëvizje të njëanshme morën” ulëset në Kuvendin Komunal.

“Në këtë mënyrë [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti po përpiqet të krijojë një komunë të pastër monoetnike shqiptare në veri të Kosovës”, u tha në reagimin e kësaj zyre.

Zyrtarët serbë kishin dhënë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Por, ndërkohë Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën një marrëveshje për targat.

Për shkak të rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, zgjedhjet për kryetarë komunash dhe ato për kuvende komunale në katër komunat në veri të Kosovës të parapara të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor janë shtyrë për në prill të vitit të ardhshëm.

Që nga 6 dhjetori, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur tensionet. Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada, pas arrestimit të një ish-polici serb.

Për shkak të tensioneve, Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri dhe autoritetet kanë mbyllur përkohësisht dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. /Rel

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
National Basketball Association (NBA) ka prezantuar 6 trofe, të dizajnuar…