Betohen rekrutët e rinj të FSK-së
Në repartet e kazermës “Adem Jashari” të Shtabit të Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë të Kosovës në Prishtinë, të enjten u zhvillua ceremonia e betimit e rekrutëve të rinj, gjenerata 2023, të cilët filluan vitin akademik 2019/20 në Qendrën për Studime Universitare të Akademisë së Mbrojtjes.
Në ceremoni ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, zëvendësministri Kadri Kastrati, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm Faruk Geci, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Irfete Spahiu, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral Michael Obernayer, gjeneralë, oficerë të FSK-së dhe NALT-it, si dhe shumë familjarë e miq të rekrutëve të rinj.
Pas rreshtimit, inspektimit dhe intonimit të himnit shtetëror, fjalën e rastit e paraqiti ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, i cili këtë gjeneratë të rekrutëve e cilësoi si gjeneratën më me fat. “Kjo është një datë me rëndësi për FSK-në. Ju jeni gjenerata e parë e kadetëve që keni nderin t’i bashkoheni FSK-së me mandat të ri ushtarak. Sot, duhet të jeni krenarë për arritjet tuaja dhe të zotoheni që gjithmonë do ta nderoni uniformën e FSK-së, ta nderoni atdheun, t’i respektoni eprorët tuaj dhe ta mbroni paqen, lirinë dhe shtetin tonë”, ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar se si ministër i Mbrojtjes është krenar me vajzat dhe djemtë tanë ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, të cilët me sukseset e tyre në shkollat dhe trajnimet e përfunduara nëpër akademi të ndryshme të vendeve të NATO-s, kanë treguar performancë të shkëlqyer dhe kanë përfaqësuar me nder FSK-në. “Pres që edhe ju ta ndiqni shembullin e tyre”, ka thënë ministri Berisha.
Në fund të ceremonisë, 14 rekrutët e rinj, para komandantit të QSU-së major Vegim Krelani dhe të pranishmëve të tjerë, solemnisht dhanë betimin si kadetë të FSK-së dhe nënshkruan kontratat për shërbim në FSK.
/Epoka e re/