Betohet Agim Aliu
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka dhënë betimin, para anëtarëve të Kuvendit Komunal të Ferizajt.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Ferizaj, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, përfaqësues të komunitetit fetar, të mekanizmave ndërkombëtarë civilë e ushtarakë, atyre të sigurisë vendore, shoqërisë civile dhe tjerë.
Aliu ka siguruar qytetarët se vazhdimësia e të arriturave të deritanishme, do të vazhdojë edhe në pjesën e mbetur të mandatit, shkruan “ferizajpress.com”.
“Do të përpiqem dhe kam idetë dhe programin tashmë të njohur nga të gjithë, që në partneritet me qytetarët, subjektet politike, Kuvendin e Komunës, shoqërinë civile, elitën intelektuale e afariste të komunës dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, ambiciet tona t’i rrisim në nivel edhe më të avancuar”, ka thënë Aliu.
Pas ceremonisë solemne është bërë edhe pranim-dorëzimi i detyrës nga ish-kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa.