Betohet kryeministri i ri i Sirisë, por kush është Mohammed al-Bashir?
Udhëheqësi politik i xhihadistëve, Mohammed al-Bashir, u betua si kryeministër i përkohshëm në Siri.
Pas rënies së Bashar al-Assad, Sirisë i kërkohet të formojë një qeveri kalimtare për të koordinuar ndihmën humanitare, rindërtimin dhe politikat e sigurisë të vendit.
Mohammed al-Bashir kontrollonte një sipërfaqe të vogël të territorit të kontrolluar nga rebelët përpara ofensivës 12-ditore që rrëzoi Assadin.
Kush është Mohammed al-Bashir?
Al-Bashir ka lindur në Idlib në vitin 1986 dhe është diplomuar në inxhinieri, ligj dhe planifikim të menaxhimit. Është diplomuar në inxhinieri elektrike dhe elektronike, drejtimi i komunikimit, nga Universiteti i Aleppos në vitin 2007. Në vitin 2010 ka kryer një kurs të avancuar të gjuhës angleze të organizuar nga Ministria e Arsimit. Në vitin 2021, ai mori një diplomë në Sheriat dhe drejtësi me nderime nga Universiteti Idlib. Më pas ai punoi si inxhinier duke mbikëqyrur krijimin e një impianti të gazit natyror të lidhur me Kompaninë Siriane të Gazit.
Në vitin 2021, pas kryengritjes në Siri kundër Bashar al-Assad, al-Bashir la punën e tij në institucionet qeveritare.
Midis viteve 2022 dhe 2023, al-Bashir shërbeu si ministër i zhvillimit dhe çështjeve humanitare.
Në fund të nëntorit, kur HTS dhe grupet e tjera rebele siriane nisën një ofensivë në Sirinë veriperëndimore, duke pushtuar Alepon, al-Bashir njoftoi në një konferencë shtypi se ofensiva ishte një përgjigje ndaj sulmeve të regjimit sirian ndaj civilëve, të cilët ai tha se i kishin zhvendosur “dhjetëra mijëra” njerëz.
Më 4 dhjetor, ai udhëtoi për në Aleppo për të mbikëqyrur hapjen e zyrave qeveritare, duke lavdëruar ish-zyrtarët e qeverisë që ishin kthyer në punë.