Betohet kryetari i Komunës së Rahovecit
Në seancën solemne të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, është mbajtur takimi i parë inaugurues i legjislaturës së re.
Në praninë e përfaqësuesve të institucioneve vendore, organizatave të dala nga lufta, përfaqësues të klerit fetar, si dhe qytetarëve të shumtë, deputetët e zgjedhur të Kuvendit Komunal të Rahovecit unanimisht u betuan dhe filluan detyrën e re në këtë mandate legjislativ.
Në këtë seancë inauguruese para të pranishmëve u betua edhe kryetari i zgjedhur i komunës Smajl Latifi, i cili në fjalën e tij të rastit para të pranishmëve u zotua që do të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve.
Kryetari Latifi tha se do të jetë i përkushtuar maksimalisht që t’u shërbejë qytetarëve me nderë, përgjegjësi, transparencë dhe sipas ligjit. “Do të krijojmë bashkërisht një marrëdhënie korrekte, funksionale, dhe të përgjegjshme me Kuvendin e Komunës, me bindjen e thellë se do të reflektojmë së bashku tiparet e një qeverisje demokratike dhe të suksesshme”, është shprehur Latifi.