Betohet presidenti i Brazilit, premton rindërtimin e vendit
Luiz Inácio Lula da Silva bëri të dielën betimin si president i Brazilit, duke marrë detyrën për herë të tretë pasi fitoi ndaj presidentit të deritanishëm të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro.
Presidenca e tij shënon kulmin e një rikthimi politik që ka entusiazmuar mbështetësit e tij dhe ka ngjallur zemërimin e kundërshtarëve, në një vend jashtëzakonisht të polarizuar.
“Mesazhi ynë për Brazilin është ai i shpresës dhe rindërtimit,” tha zoti Lula në një fjalim në Dhomën e Ulët të Kongresit pas nënshkrimit të dokumentit që e shpall atë zyrtarisht si president.
“Arritjet e mëdha të të drejtave, sovranitetit dhe zhvillimit që ndërtoi ky vend janë shkatërruar sistematikisht vitet e fundit. Dhe ne do të përqendrojmë të gjitha përpjekjet tona për ta ringritur këtë sistem.”
Të dielën pasdite në shëtitoren kryesore të Brazilias, vazhdonin festimet. Dhjetëra mijëra mbështetës brohoritën pas betimit të tij. Ata gjithashtu reaguan me entusiazëm kur presidenti tha se do të dorëzonte një raport për presidencën e zotit Bolsonaro tek autoritetet që mund të hapin një hetim ndaj tij bazuar në përfundimet e raportit.
Presidenca e zotit Lula pritet të jetë ndryshe nga dy mandatet e tij të mëparshme, duke ardhur pas garës më të ngushtë presidenciale në më shumë se tre dekada në Brazil dhe rezistencës së disa prej kundërshtarëve të tij ndaj presidencës së tij, thonë analistët politikë.
Majtisti e mundi zotin Bolsonaro në zgjedhjet e 30 tetorit me më pak se 2 për qind. Për muaj të tërë, zoti Bolsonaro kishte mbjellë dyshime për besueshmërinë e votës elektronike në Brazil dhe mbështetësit e tij besnikë nuk e pranuan humbjen.
Shumë prej atyre që vunë vënë në pikëpyetje rezultatet, u kërkuan forcave të armatosura që të mos lejonin zotin Lula të merrte detyrën.
Mbështetësit më të zellshëm të zotit Bolsonaro ndërmorën disa veprime që disa autoritete dhe anëtarë të ardhshëm të kabinetit të zotit Lula i etiketuan si “terroriste” – diçka që vendi nuk e kishte parë që nga fillimi i viteve 1980 dhe që kishte shkaktuar shqetësime për sigurinë në ditën e inaugurimit.
“Në vitin 2003, ceremonia ishte shumë e bukur. Nuk kishte një klimë kaq negative dhe të rëndë,” thotë Carlos Melo, një profesor i shkencave politike në Universitetin Insper në Sao Paulo, duke iu referuar vitit kur Lula mori detyrën për herë të parë. “Sot, është një klimë terrori.”
Zoti Lula ka thënë se misioni i tij është që të shërojë vendin e përçarë. Por atij do t’i duhet ta bëjë një gjë të tillë ndërsa përballet me një gjendje ekonomike më sfiduese sesa në dy mandatet e tij të para, kur bumi global i mallrave solli rritje në Brazil.
Ai u largua nga detyra me një mbështetje 83%.
Në vitet e mëpasme ekonomia e Brazilit u zhyt në dy recesione të thella dhe brazilianët e zakonshëm vuajtën pasojat.
Zoti Lula ka thënë se prioritetet e tij janë lufta kundër varfërisë dhe investimi në arsim dhe shëndetësi. Ai ka thënë gjithashtu se do të ndalojë shpyllëzimin e paligjshëm të Amazonës. Ai kërkoi mbështetje nga të moderuarit politikë për të formuar një koalicion të gjerë dhe për të fituar ndaj zotit Bolsonaro dhe më pas caktoi disa prej tyre për të shërbyer në kabinetin e tij.
Duke patur parasysh pozicionimin politik të popullsisë, ka shumë pak gjasa që zoti Lula të ruajë popullaritetin që gëzonte dikur, apo të sigurojë më shumë se 50% mbështetje për punën e tij, thotë Mauricio Santoro, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror në Rio de Janeiro.
Për më tepër, thotë zoti Santoro, besueshmëria e zotit Lula dhe Partisë së tij të Punëtorëve u dëmtua nga hetimet për korrupsionin e gjerë. Zyrtarë të partisë u futën në burg, përfshirë vetë zotin Lula – deri në momentin kur dënimet për të u anulluan për shkak të problemeve proceduriale. Gjykata e Lartë vendosi më pas se gjykatësi që kishte drejtuar seancën kishte bashkëpunuar me prokurorët për të arritur në dhënien e një dënimi.
Zoti Lula dhe mbështetësit e tij thonë se ai u fut në grackë. Të tjerë thanë se ishin të gatshëm të shihni përtej shkeljeve të mundshme nga ana e tij, për të rrëzuar nga pushteti zotin Bolsonaro dhe për ta ribashkuar vendin.
Por mbështetësit e zotit Bolsonaro nuk duan të pranojnë rikthimin në postin më të lartë të dikujt që e perceptojnë si kriminel. Dhe ndërsa tensionet janë të larta, një seri ngjarjesh kishin ngjallur frikën se mund të kishte dhunë në ditën e inaugurimit.
Më 12 dhjetor, dhjetëra persona u përpoqën të merrnin një godinë të policisë federale në Brazilia, si dhe dogjën makina dhe autobuzë në pjesë të tjera të qytetit.
Më pas, në prag të Krishtlindjes, policia arrestoi një 54-vjeçar që pranoi se kishte prodhuar bombën që u gjet në një kontenier karburanti që po dërgohej për në aeroportin e Brazilias.
Ai kishte qëndruar në tenda përpara shtabit të ushtrisë në Brazilia së bashku me qindra mbështetës të tjerë të zotit Bolsonaro që nga data 12 nëntor. Sipas deponimit të tij të publikuar nga mediat vendase, ai i tha policisë se ishte i gatshëm të luftonte komunizmin, dhe se planifikoi sulmin së bashku me persona që pati takuar në protesta. Ditën pasuese, policia gjeti paisje shpërthyese dhe disa jelekë antiplumb në një zonë pyjore në rrethinat e distriktit federal.
Flavio Dino, ministri i ardhshëm i drejtësisë në qeverinë Lula, bëri thirrje këtë javë që autoritetet federale t’u jepnin fund protestave “antidemokratike”, dhe i quajti ato “inkubatorë të terrorizmit”.
Në përgjigje të një kërkese nga ekipi i zotit Lula, ministri i tanishëm i drejtësisë autorizoi dislokimin e gardës kombëtare deri më 2 janar, dhe gjykatësi i Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes ua ndaloi njerëzve të mbajnë armë në Brazilia gjatë këtyre ditëve.
“Këto janë pasojat e polarizimit politik, të ekstremizmit politik”, thotë Nara Pavao, profesore e shkencave politike në Universitetin Federal në Pernambuco. Zonja Pavao thekson se zoti Bolsonaro, i cili përgjithësisht u tërhoq nga skena politike pasi nuk arriti të rizgjidhet, ngurroi fillimisht të dënonte incidentet.
“Heshtja e tij është strategjike: Bolsonaro duhet të mbajë gjallë bolsonarizmin”, thotë zonja Pavao.
Zoti Bolsonaro e dënoi më në fund komplotin për sulm me bombë më 30 dhjetor gjatë një fjalimi në mediat sociale, disa orë përpara se të nisej për në Shtetet e Bashkuara. Mungesa e tij në ditën e inaugurimit do të thyejë traditën dhe mbetet e paqartë se kush në vend të tij do t’ia dorëzojë zotit Lula shiritin ceremonial presidencial.
Juristi Eduardo Coutinho do të jetë i pranishëm. Ai bleu biletën e avionit për në Brazilia, si një dhuratë për veten me rastin e Krishtlindjes.
“Do të doja të kisha qenë këtu kur u largua avioni i Bolsonaros; kjo do të ishte e vetmja gjë tjetër që do të më lumturonte po aq sa aktiviteti i planifikuar për nesër”, tha zoti Coutinho, 28-vjeç, pasi këndoi në avion refrene të fushatës së zotit Lula. “Unë nuk jam zakonisht person që e tepron, por duhet që të çlirohemi dhe erdha këtu që të bëj pikërisht këtë gjë. Brailizit i duhet kjo që të ecë përpara”./VOA/