Betohet qeveria e re italiane
Të enjten është betuar qeveria e re italiane, e cila është krijuar pas koalicionit të Partisë Demokratike pro-Evropiane dhe Lëvizjes Pesë Yjet.
Administrata e re duket e sigurt se synon të ketë më pak konflikte me Bashkimin Evropian, për dallim nga qeveria e kaluar, e cila vazhdimisht ka kundërshtuar rregullat e bllokut evropian për buxhet dhe migrim.
Partia Demokratike do të udhëheqë Ministrinë e Ekonomisë dhe atë për Çështje Evropiane, derisa ish-kryeministri Paolo Gentiloni duket se do të bëhet komisionari i ri i Italisë në BE.
Kryeministri italian, Giuseppe Conte, profesor pa lidhje politike, ka udhëhequr një ekip të ri prej shtatë grave dhe 14 burrave, në ceremoninë e betimit në pallatin presidencial.
Qeveria e 67-të e Italisë nga Lufta e Dytë Botërore u ka dhënë më shumë hapësirë politikanëve të rinj dhe jo aq shumë atyre me përvojë.
“Do të jetë rrugëtim interesant”, ka thënë ministri i Arsimit, Lorenzo Fioramonti.
Megjithatë kjo qeveri nuk do të ketë kompetenca të plota derisa të fitojë mocionet e votëbesimit në të dyja dhomat e parlamentit javën e ardhshme. /Rel/