Biblioteka “Adem Demaçi”
Shkruan: Berat Dakaj
Patrioti i madh shqiptar, Adem Demaçi, një vit më parë pushoi së foluri, menduari dhe vepruari. Ishte falur për të hequr keq për vendin dhe popullin e vet. T’i kalosh 28 vjet në burg është më shumë sesa ta japësh jetën një herë, më shumë sesa të vritesh një herë. Ai u vra dhe vdiq dalëngadalë si ndonjë qenie e mbinatyrshme me aftësi të ripërtëritjes së gjendjes fizike. Vdekja e tij, duke marrë parasysh të kaluarën e tij, është e panatyrshme dhe shumë e mundimshme. Kohë të gjatë shumë e vranë shqiptarët, po kaq shumë, kohë të gjatë, e vranë edhe serbët, për pajtimin e të cilëve qe përpjekur gjatë, duke kërkuar sovranitet për Kosovën ku hynte e ku dilte. S’e zgjedhte vendin, as njerëzit, për ta kërkuar pavarësinë e Kosovës. S’donte paqe të përgjakshme, po ja që atyre që ua kërkonte paqen, ata çoheshin dhe e përgjaknin, e lidhnin, e torturonin, e rrihnin, e izolonin… Pavarësisht prej këtyre dëmeve që i bëheshin, rebeli Demaç, edhe kur të tjerët e linin vetë dhe e akuzonin për ngjarje dhe fjalë të paqena, ngrehte krye edhe në burg për popullin e vet të nëpërkëmbur, për lirinë e tij që i mungonte. Por, atij s’kishte kush që t’ia ndalonte fjalën, mendimin, veprimin, Demaçit. Reagimin letrar, ndaj ngjarjeve politike dhe problematike shqiptare, e nisi me “Gjarpërinjtë e gjakut”. Zgjodhi një zvarranik për t’i mbushur mend ata shqiptarë që ngrehnin dorën e krimit ndaj njëri-tjetrit. Zvarranikut të tij ia ndërprenë rrugën disa herë serbët. Nuk e linin të hynte në shtëpi shqiptare për ku ishte nisur për të dhënë mesazhe paqeje. U përpoqën ta izolojnë serbët dhe ta mbysnin me shufra, automatikë, grushte, shkelma e dhunë psikike por, ashtu sikurse nuk e mbytën dot Demaçin për 28 vjet sa e kishin brenda grilave, nuk ia dolën ta mbysin as gjarprin e tij për dyzetekatër vjet sa zvarritej nëpër shtëpi shqiptare të hasmuara. Ideja e tij, kohë pas kohe, me organizimin e disa pajtimtarëve ndër vite në gjithë Kosovën që kishte hasmëri, duket se triumfonte ndër popullin shqiptar, nga njerëz vullnetmirë. Me moton “Jo atyre që janë trima që ngrenë gishtin e krimit, por atyre që janë trima që shtrijnë dorën e pajtimit”, shqiptarët përgjakjen e kthenin në paqe, duke i shtrirë dorën e pajtimit njëri-tjetrit. Këtë e priste dhe e donte Demaçi. Ky ishte një prej shqetësimeve të tij më të mëdha në veprën e tij. Me këtë letërsi pajtimtare, moralizuese, Demaçi hyri ilegalisht në shtëpitë e shqiptarëve të Kosovës dhe zuri vend në mendjet dhe zemrat e tyre. Andaj, për nder të tij, kontributit në letërsi dhe për çështjen kombëtare, botimeve të shtëpisë botuese “Armagedoni”, atyre në prozë në gjuhën shqipe, i shtojmë Bibliotekën “Adem Demaçi”.
Lumë ne që të patëm!
Prehu në paqe, qetësisht, burrë i ndershëm i botës!
Aq sa dimë, do të të kujtojmë dhe nderojmë!