Biblioteka Kombëtare e Kosovës shkel Rregulloren (QRK) nr. 06/2024
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, pas shpalljes së konkursit “Zyrtar i IT-së për dokumentim (dy vende pune)”, ka shkelur Rregulloren (QRK) nr. 06/2024 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil.
Këtë konkurs, “Zyrtar i IT-së për dokumentim (dy vende pune)”, Biblioteka Kombëtare e Kosovës nuk e ka shpallur në uebfaqen e vet sikurse i ka shpallur konkurset e tjerë, por e ka shpallur në këtë portal Zyrtar i TI-së për Dokumentim – Bibloteka Kombëtare e Kosovës – Lyp Punë (lyppune.com) me datë 21.05.2024.
Për këtë pozitë, sipas koeficientit të pagës që është në konkurs, “profesional 2”, duhet diplomë universitare dhe përvojë pune nga fusha e IT-së. Në faqet 30-32 të kësaj rregullore shkruhet: “IV. Kërkesat e përgjithshme formale: a) Arsimimi i kërkuar: Diplomë e arsimit të lartë e nivelit të parë (Bachelor). Diplomë e nivelit të pestë të KKK për fushën e TIK. b) Kërkesat specifike: Certifikata, licenca kur kërkohen me legjislacionin në fuqi apo kur vlerësohet se janë të nevojshme për pozitat e kësaj klase. c) Përvoja e punës e kërkuar: Së paku 1 (një) vit përvojë pune në fushën për të cilën zhvillohet procedura për plotësimin e pozitës së lirë të punës”.
Një prej kandidatëve që ka konkurruar është Hizri Bekolli. Ai i ka ofruar dëshmi gazetës për përvojën e punës dhe shkollimin. “Në konkursin për pozitën ‘Zyrtar i IT-së për dokumentim (dy vende pune)’, shpallur nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës në muajin maj, kam aplikuar edhe unë. Biblioteka konkursin nuk e ka shpallur sipas Rregullores (QRK) nr. 06/2024 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil. Për këtë pozitë, duke u bazuar në këtë rregullore, kërkohet diplomë e arsimit të lartë e nivelit të parë (Bachelor), kurse Biblioteka konkursin e ka shpallur kështu: ‘Diplomë e shkollës së mesme ose diplomë e shkollës profesionale ose të ngjashme’. Edhe pse kam ofruar dëshmi të mbarimit të studimeve bachelor nga fusha menaxhment dhe informatikë, mua nuk më kanë përzgjedhur për intervistën me gojë, kurse kanë përzgjedhur kandidatë që kanë kryer vetëm shkollimin e mesëm dhe nuk kanë përvojë pune nga ky lëmë”, ka treguar Bekolli, i cili ka thënë se me këtë shkelje duhet të merret Inspektorati i Punës.
Gjithashtu, ai ka bërë me dije se në mesin e anëtarëve për përzgjedhje të kandidatëve për këtë pozitë ka qenë edhe sinjalizuesja e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për MKRS, e cila, sipas tij, do të duhej ta raportonte këtë rast në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ta ndalonte zhvillimin e këtij konkursi të kundërligjshëm. Gazeta ka marrë vesh se një prej anëtareve të komisionit, edhe pse ka qenë në pushim vjetor të lehonisë, ka ardhur për ta zhvilluar këtë procedurë të konkursit, që është në kundërshtim me ligjin.
Për këtë shkelje të rregullores nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka folur edhe kryetari i Shoqatës Sindikale të Punonjësve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Ramush Zeka. Ai ka thënë: “Po, në këtë rast, sapo është hapur konkursi ‘Zyrtar i IT-së për dokumentim (dy vende pune)’, është shkelur Rregullorja (QRK) nr. 06/2024 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil. Në të precizohet shkurt dhe shqip. Aty kërkohet: ‘Arsimimi i kërkuar: Diplomë e arsimit të lartë e nivelit të parë (Bachelor)’. Kam marrë vesh ndërkohë nga disa prej aplikuesve, se janë thirrur në intervistën me gojë kandidatë me shkollim të mesëm e jo kandidatët me diplomë universitare. Përpos kësaj shkelje, Biblioteka ka bërë edhe këtë shkelje: konkursin nuk e ka shpallur në uefaqen e vet, në të cilën e ka për obligim, siç i ka shpallur konkurset e tjerë, por e ka shpallur në një portal, disi tinës”, ka njoftuar Zeka.
Ndër të tjera, ai ka thënë se kjo procedurë, për përzgjedhjen, intervistimin dhe zgjedhjen e dy punonjësve të rinj në këtë konkurs, nuk do të duhej të zhvillohej për shkak të këtyre shkeljeve. “Këtë shkelje as s’duhet ta lejojë ushtruesja e detyrës e drejtorit as s’duhet ta lejojë drejtoresha e ardhshme. Para ligjit duhet barabarësi. E kush vepron në kundërshtim me ligjin duhet të përballet me gjyqin”, ka shtuar Zeka.