
Biblioteka Kombëtare paraqet botime të Kosovës në Panairin e Librit në Leipzig, organizon edhe tryeza
Dy ngjarje që do të promovohen nga Kosova në Leipzig në kuadër të Panairit të Librit atje, janë “Kujtesa individuale dhe kolektive” dhe “Letërsia nga Kosova”. Ngjarjet mbahen më 28 dhe 29 mars.
Kujtesa individuale dhe kolektive
Letërsia luan një rol jetik në ruajtjen e kujtesës kolektive, veçanërisht në kontekstet e pasluftës. Romani i Ag Apollonit Red Riding Hood: Fairytale for Grown Ups është një shembull kyç,duke ofruar një histori dashurie dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës dhe religjionit. Në një diskutim të moderuar nga Blerina Rogova Gaxha dhe me përkthim të Zuzana Finger, organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, synohet të reflektohet mbi fuqinë e letërsisë në mbajtjen gjallë të memories kolektive të luftës. Ky diskutim fton panelistët dhe publikun të ndajnë përvoja personale dhe të pathëna, duke theksuar rëndësinë e rrëfimeve individuale në ndërtimin e kujtesës së përbashkët.
29 mars, 15:00 – 15:30, Café Europa, Halle 4, Stand E401, Diskutim me shkrimtarin Ag Apolloni, Moderon: Blerina Rogova Gaxha, Përkthen: Zuzana Finger
Ky panel diskutimi mbi gjuhën, përkthimin dhe letërsinë nga Kosova do të eksplorojë rolin e letërsisë kosovare sot. Me përkthyesit Qerim Ondozi (Kosovë) dhe Feride Berisha (Gjermani), ngjarja do të trajtojë sfidat e përkthimit të letërsisë shqipe dhe ndikimin e saj në skenën letrare globale. Diskutimi i moderuar nga drejtoresha e BKK-së Blerina Rogova Gaxha, me përkthim nga Zuzana Finger, organizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”, për të nxitur dialogun mbi letërsinë si komunikim dhe identitet.
28 Mars, 13:30 – 14:00, Globale Perspektiven, Halle 4, Stand E305, Diskutim me përkthyesit Qerim Ondozi dhe Feride Berisha, Moderon: Blerina Rogova Gaxha, Përkthen: Zuzana Finger