Biblioteka Kombëtare përplot ushtrues detyre, disa të kundërligjshëm
Berat Armagedoni
Në gazetari ky lloj i titullit është informues. I kam kryer nja pesë vjet studime në gazetari dhe i njoh zhanret e shkrimit dhe të titujve të tyre. Artikulli poshtë titullit nuk është informues. Pra, nuk është raport. Është opinion, në të cilin, si shpeshherë tjetër, shpreh pikëpamjet e mia, por edhe të dhjetëra punonjësve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të cilët që një dekadë shprehin pakënaqësi ndaj udhëheqësve të Bibliotekës Kombëtare dhe nëpërkëmbën prapseprapë. Kanë pasur durim të madh. Kanë parë dhe kanë përpirë gjithçka. Kanë pritur ditë të mira. Disa, kur erdhi dita e Kurtit, edhe mburreshin se erdhi dita e tyre. Fatkeqësisht, dita e tyre s’erdhi kurrë. Për disa erdhi dhe u bë natë e skëterrshme. U dëshpëruan në sloganin “Erdhi dita”, u dëshpëruan edhe në qeverisjen Kurti që mbante në pozita militantë partish të tjera. Pjesës më të madhe të punonjësve të Bibliotekës Kombëtare, secili drejtor që ka ardhur në dhjetë vitet e fundit aty, u janë bërë padrejtësi të mëdha. Disa prej tyre, gra dhe burra, kanë përjetuar edhe kërcënime fizike nga disa kokëgdhe dhe hiçgjë. Disa punonjës i kanë shprehur pakënaqësitë vetë, disa ia kanë raportuar edhe Këshillit Drejtues dhe ministrit të Kulturës, disa kanë heshtur e disa të tjerë, kur s’u janë përgjigjur as Këshilli, as ministri, as drejtori, u janë drejtuar gjykatave. Do t’u drejtohen gjykatave edhe më me këmbëngulje tash e tutje për shkak të pritjeve të mëdha për ndryshim. Arsyet më poshtë.
Për dallaveret nëpër tenderë, për shkeljet e ligjit, për avancimet kundërligjore e për punësimet partiake dhe familjare në Bibliotekën Kombëtare, në dhjetët vitet e fundit kush më shumë se unë nuk ka shkruar dhe folur. Është dashur të shkruajnë dhe të flasin edhe të tjerët por, meqë besojnë në Zot, i kanë “shkruar” atij dhe i janë lutur për drejtësi dhe për hakmarrje. Se kur do t’u përgjigjet ai, një zot e di! S’kanë shkruar publikisht dhe s’kanë folur publikisht sepse e kanë parë, qe besa besojnë, se fjalës publike nuk po ua kanë frikën drejtorët, shërbëtorët e tyre, Këshilli Drejtues, ministrat e shërbëtorët e tij. Por, duhet ta dinë, se fjala dhemb më shumë se plumbi. Është një dhimbje e gjatë, e padurueshme. Punë e ndërgjegjes më shumë, që disa s’e kanë. Po atë që e dinë ata është se tërthoren Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka marrë në kohën e ish-drejtorit Fazli Gajraku dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ky ish-drejtor e ka trajtuar këtë institucion kombëtar si të ishte institucion antikombëtar. Ka arritur t’i ndalojë edhe emisionet hulumtuese të televizioneve për keqpërdorimet në bibliotekë për shkak se ka punësuar familjarë të drejtorëve të televizioneve në bibliotekë. Ka futur duart, gojën dhe veshët edhe te disa medie të tjera për ndalim të raportimeve për keqpërdorime. Dëmet e konsiderueshme bërë bibliotekës është përpjekur t’i mbajë larg syve dhe veshëve të publikut. Nëse ishi më bën një padi, edhe kam pritur qëmoti padi prej tij, po e ka mizën pas veshit e nuk po i hyn asaj pune, do të tregoj edhe para prokurorëve edhe para gjyqtarëve dëmet që ia ka bërë Bibliotekës Kombëtare dhe punonjësve të saj. Dëme të mëdha. Të shumta. Të paimagjinueshme. Të papranueshme. Dhjetëra herë i kam përmendur. Dhjetëra herë i kam hëngër me dhëmbë, sepse i kanë mbyllur sytë dhe veshët edhe anëtarët e Këshillit Drejtues, edhe ministri Çeku që dikur, më shumë se tash, përkujdesej për institucionet e trashëgimisë kulturore. Tash këtë detyrë ua ka lënë pasardhësve dhe, siç po duket, më nuk po ka qejf të dëgjojë ankesa për institucionet vartëse të shtëpisë kryesore as nga punonjësit, as nga sinjalizuesit (nuk e di a e kanë sinjalizuar sinjalizuesit ndonjëherë për ndonjë keqpërdorim). Unë e kam sinjalizuar edhe me shkrim. Me dhjetë faqe shkrim. Deri vonë, kot…
Nëntëdhjetë për qind prej punonjësve të Bibliotekës Kombëtare, sapo atë ditë kanë marrë lajmin se drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare e Kosovës është zgjedhur Blerina Rogova Gaxha, kanë shprehur gëzim të madh që u ka përfunduar mbretërimi ish-drejtorëve dhe shërbëtorëve të tij të egër, sepse kanë zënë besë se drejtoresha do të punojë drejt dhe për interesa të tyre dhe të institucionit e jo për interesa të të tjerëve dhe personale. Por, siç kam shkruar edhe javë më parë, gëzimi i tyre, shpresa e tyre, po venitet çdo ditë. Që shtatëmbëdhjetë vjet zyrën e kam pasur edhe për ankesa të kolegëve për ish-udhëheqësit e Bibliotekës Kombëtare. Ankesat më të mëdha dhe më të shpeshta të tyre i janë bërë Shoqatës së Sindikatës së Punonjësve të Bibliotekës, e cila kurrë nuk ka arritur ta marrë asnjë vendim, sepse anëtarët e saj, para çdo mbledhje të sindikatës, vazhdimisht i ka kërcënuar ish-drejtori me shërbëtorë (sot punonjësit janë në gjendje të flasin para gjykatave për kërcënimet e tij dhe të tyre për largim nga puna dhe për presion), pastaj udhëheqësve të bibliotekës e pastaj, kur punonjësit janë mbështetur për muri, pasi që asnjëra nuk ua ka zgjidhur problemet, më janë ankuar mua. E di pse. Për të folur dhe shkruar publikisht si sot. E unë nuk kam heshtur kurrë, as nuk do të hesht kurrë. Kohë të gjatë shqetësimet e tyre i kam paraqitur në rrjete sociale dhe në medie. Memorien dhe traumën e tyre për udhëheqësit e kaluar, për të cilat terma studiuesja Gaxha ka njohuri, se ka shkruar një monografi, punonjësit ia kanë paraqitur edhe drejtoreshës së sotme të Bibliotekës Kombëtare. Por, pakënaqësinë e parë punonjësit ndaj saj e shprehën këtë javë në Sindikatë, sapo u informuan nga Shoqata e Sindikatës së Punonjësve të Bibliotekës Kombëtare, se drejtoresha, përformuese e artit dhe e kulturës, nuk do të mbajë një takim të përbashkët me zyrtarët publikë në amfiteatër, që t’i dëgjojë shqetësimet, nëpërkëmbjet, traumat e tyre nga menaxhmenti i kaluar dhe të marrin vesh prej gojës së saj, jo vetëm nëpërmjet gishtave të saj (emaileve), për statusin e tyre. Duke e njohur Gaxhën në fakultet, duke e njohur edhe pas fakultetit (studimeve), nuk po besoj se ndihet mirë që vetë është përformuese e artit dhe e kulturës e punonjësit i ka zyrtarë publikë. Nuk besoj që, pas shumë shqetësimeve që ia kanë shprehur punonjësit që një muaj pandërprerë për ish-udhëheqësit, vazhdon të ndihet mirë. Nëse dikush nga Këshilli Drejtues dhe Ministria e Kulturës i sugjeron të punojë keq siç kanë punuar ishët, duhet të japë dorëheqje sa më parë me ndërgjegje të pastër, jo të vrarë ndërkohë.
Shqetësimin tjetër punonjësit ndaj saj e shprehën se që një muaj prej që e ka marrë detyrën e drejtoreshës, Rogova Gaxha nuk ka revokuar asnjë vendim të ish-u. d. drejtoreshës të marrë në ditët e fundit të saj në këtë pozitë, e cila, me qëllim që të bëhet drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare, sepse u përpoqën shumë persona të pandershëm ta bëjnë, ndër ta edhe profesorë universitarë, u transferua brenda ditës nga Biblioteka Universitare në atë Kombëtare. Vendimet kundërligjore të ishit nuk i ka hedhur poshtë e tashmja.
E një vendim prej së tashmes, që pritet të merret shpejt, është në kundërshtim me çdo rregullore dhe ligj. Atë vendim, si peshqesh, ia ka lënë në derë dhe zyrë ish-drejtori Fazli Gajraku muaj më parë, kur pati shpallur konkurs për pozitën Udhëheqës i Depos, në të cilën pozitë, që rreth njëzet vjet, me titullin “Përgjegjëse e depos”, punon një punonjëse e ndershme e Bibliotekës dhe kokëfortë. E pathyeshme. Pas pranimit të “shefit” të ri në këtë pozitë e pas shumë shkeljeve ligjore në konkurs, “Përgjegjësja e depos”, nëpërmjet avokatit të angazhuar, ka paditur Bibliotekën Kombëtare për këtë rast. Duke parë shkeljet ligjore, menaxhmenti i sotëm i Bibliotekës po përpiqet që Udhëheqësit të Depos të pranuar kundërligjshëm, t’i bëjë kontratë të asistentit ekzekutiv. Ai nuk është pranuar në punë asistent ekzekutiv. Nuk ka pasur konkurs të shpallur asistent ekzekutiv. Pa asnjë ditë përvoje pune në Bibliotekën Kombëtare nuk mund t’i lëvizet pozita kaq shpejt. (Kujdes nga këto avancime! Shih çfarë kanë bërë ata e mos bëj çfarë kanë bërë ata dhe çfarë të vjen n’dorësh. Shpejt kalojnë katër vjet. Më mirë, kurdoherë, të dalësh prej aty faqebardhë). Por, duan ta lëvizin për shkak se konkursi i shpallur ka qenë i kundërligjshëm dhe ta rehatojnë një zyrtar, dikur diku të lartë. E kjo nuk është në rregull. Është pozicion jashtë lojës. Duhet futur në përdorim VAR-in (rishikimin dhe vëmendjen). Nëse veprohet kështu edhe nga udhëheqësja e re, shpresa që dikur thoshin se vdes e fundit, mund të vdesë që në fillim dhe, ashtu si Fa(t)z(l)iu, ta ketë të njëjtin fat në opinion! Atë që e di, është se gjykatave në ditët e ardhshme do t’u drejtohen edhe punonjës të tjerë, të cilët, pa ndonjë paralajmërim, me një organogram të ri, nga ish-drejtori janë hequr nga pozita e shefit e në vend të tyre janë emëruar u. d. kundërligjorë. Ka më shumë se tetë vjet që disa departamente udhëhiqen nga të njëjtit u. d. Me u. d., pa meritë, vetëm me përkëdhelje dhe me avancime kundërligjore, që disa muaj udhëhiqen edhe divizionet e bibliotekës.
Uroj që punonjësve shpresa t’u vdesë e fundit!