Biblioteka Kombëtare, thirrje komunës: Urgjentisht largoji qentë endacakë nga hapësirat tona!

26 shkurt 2025 | 08:24

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka kritikuar komunën e Prishtinës, e cila, sipas saj, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për largimin e qenve endacakë nga kompleksi universitar dhe nga hapësira rreth saj.

Sipas Bibliotekës, prania e qenve endacakë në këto hapësira është një problem serioz për sigurinë e punonjësve të Bibliotekës, lexuesve, vizitorëve të saj dhe qytetarëve që e frekuentojnë këtë zonë çdo ditë.

Në njoftim, Biblioteka thotë se ka kërkuar disa herë nga komuna të ndërmarrë masa por, sipas saj, deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje apo veprim konkret.

“Largimi i qenve endacakë është në përgjegjësi të plotë të Komunës së Prishtinës. Prandaj, pavarësisht kërkesave tona të përsëritura dhe thirrjeve të vazhdueshme gjatë muajve të kaluar përmes telefonit dhe postës elektronike drejtuar Komunës së Prishtinës për ndërhyrje – përfshirë edhe shkresën zyrtare të datës 03.08.2024 (me nr. protokoli 07-352/02-116269/24/1) – ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje apo veprim konkret për zgjidhjen e këtij problem”, thuhet në njoftimin e datës 25.02.2025.

Tutje ata u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këtë javë, shtatë planetë – Marsi, Jupiteri, Urani, Venera, Neptuni,…