Biden: Agjenda ime s’është kundër Rusisë, është për Amerikën

16 qershor 2021 | 21:04

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se agjenda e tij “nuk është kundër Rusisë apo dikujt tjetër, por është për Amerikën”.

Biden ka thënë se ia ka dhënë këtë mesazh presidentit rus, Vladimir Putin, me të cilin u takua të mërkurën në Gjenevë.

“Aty ku kemi dallime, dua që presidenti Putin të kuptojë përse e them atë që them dhe përse e bëj atë që bëj”, ka theksuar Biden në konferencën për gazetarë pas takimit.

“I kam thënë Putinit se na duhen disa rregulla themelore, të cilat të gjithë mund t’i respektojmë”, ka deklaruar Biden.

I pyetur nga gazetarët se çfarë ka bërë për të parandaluar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet në SHBA në të ardhmen, Biden tha: “Putin e di se do të ketë pasoja”.

Rusia “po përpiqet me dëshpërim të ruajë pozitën e saj” si fuqi botërore; humbja e këtij statusi do të ishte “çmimi që do të paguante” për ndërhyrjet e vazhdueshme, tha Biden.

“Ata nuk janë në gjendje të diktojnë atë që ndodh në botë”, ka theksuar ai.

Takimi Biden-Putin përfundoi pas më shumë se tri orësh.

Dy presidentët fillimisht u takuan në një seancë më të vogël, ndërsa më vonë u përfshinë edhe zyrtarë të të dyja palëve.

Në një konferencë të ndarë për media, Putin tha se nuk kishte armiqësi gjatë takimit dhe se bisedimet ishin “mjaft konstruktive”.

Putin deklarohet pas takimit me Bidenin: Bisedimet ishin mjaft konstruktive

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Historia e përballjeve politike duke na krijuar…