Biden apo Trump – Cilin kandidat mbështesin të rinjtë?
Shumica e votuesve të rinj në këto zgjedhje presidenciale në Shtetet e Bashkuara thonë se do të dëshironin të kishin alternativa të tjera ndaj kandidaturave të Presidentit Joe Biden dhe ish Presidentit Donald Trump. Një nga arsyet për këtë është mosha e kandidatëve aktualë. Por, çfarë mendojnë ata për kandidatët presidencialë të dy partive më të mëdha në Amerikë?
Në garën mes dy kandidatëve të pritshëm presidencialë të dy partive kryesore në Amerikë, për shkak të moshës, janë ngritur çështje lidhur me aftësinë shëndetësore të tyre për postin e Presidentit.
Ky ka qenë një shqetësim i madh sidomos për votuesit e rinj. Desmond Kager do të dëshironte të kishte alternativa të tjera.
“Nëse republikanët apo demokratët mund të ofrojnë një kandidatë për të cilin vërtetë ia vlen të votohet, atëherë unë do të votoja për ata”, thotë ai.
Një sondazh i organizatës “Pew Research” javën e kaluar zbuloi se dy të tretat e votuesve nën moshën 30 vjeç do t’i zëvendësonin të dy kandidatët nëse do të kishin mundësi. Por, kush janë të rinjtë që mbështesin kandidatët Biden dhe Trump?
Francesca Panniello mbështet zotin Biden për shkak të shqetësimit për të drejtat riprodhuese.
“Aborti është një çështje e rëndësishme për mua. Kujdesi për abortin dhe e drejta për të zgjedhur për çështjet riprodhuese janë të rëndësishme për mua”, thotë ajo.
Të drejtat e abortit dhe përdorimi i marijuanës do të jenë në fletën e votimit në Florida në nëntor të këtij viti. Këto çështje po tërheqin mbështetje nga votues më të rinj për kauzat e Partisë Demokratike, thotë Jayden D’Onofrio.
“Votuesit e rinj kanë një mundësi reale për të ndikuar në peizazhin elektoral këtu në Florida. Ne kemi parë se e drejta për abort dhe përdorimi i marijuanës janë çështje të rëndësishme për votuesit e rinj. Përparësia e tyre më e madhe është e drejta për të zgjedhur për çështjet riprodhuese”, thotë ai.
Disa të rinj e kundërshtojnë Presidentit Biden për mbështetjen që i ka dhënë Izraelit për luftën në Rripin e Gazës. Megjithatë, ai pritet të marrë mbështetjen e votueses Eliana Stein.
“Një nga gjërat më të rëndësishme për mua është mbështetja e vazhdueshme për Izraelin, veçanërisht gjatë gjithë këtij konflikti që po ndodh. Pra, unë vërtet vlerësoj gjithçka që Presidenti Biden ka bërë për të mbështetur Izraelin në konfliktin aktual”, thotë ajo.
Në mesin e të rinjve që mbështesin zotin Trump janë edhe votuesit në Uiskonsin, Briauna Bonilla dhe Jonathan Boyer.
“Dua të them se jam përpjekur të zhvilloj biseda me njerëz që nuk e pëlqejnë zotin Trump dhe ata thonë: ‘Mund të largohesh. Nuk dua të flas më me ty.’ Pra, mendoj se ky është problemi kryesor. Njerëzit nuk janë të hapur për të dëgjuar. Ata mendojnë se nëse pëlqeni zotin Trump, ju jeni një person i tmerrshëm“, thotë Briauna Bonilla.
“Po, nuk ka kurrë ndonjë diskutim të hapur“, thotë votuesi Jonathan Boyer.
“Kur kam një diskutim të hapur me kundërshtarët e zotit Trump, më krijohet përshtypja se nuk mund të them asgjë, apo se ata nuk duan të flasin me mua, apo se ata do ta ndajnë përmbajtjen e diskutimit më gjithë të tjerët“, thotë votuesja Briauna Bonilla.
Mbështetësit e rinj të zotit Trump janë mësuar me moshatarët e tyre, që vënë në dyshim zgjedhjet e tyre politike, thotë Isayah Turner.
“Kur shkoj në restorante me kapele që kanë mbishkrimin ‘Trump 2024’, njerëzit me shikojnë me çudi, por kjo nuk më shqetëson.”
Turner thotë se e admiron qëndrimin e zotit Trump kundër korrupsionit.
“Mendoj se ka shumë gjëra skandaloze që po ndodhin në të gjithë botë. Mendoj se zoti Trump është i vetmi njeri që ka guximin të merret me këta njerëz. Ai nuk frikësohet nga ata. Mendoj se ai do të bëjë më të mirën për vendin”, thotë ai.
Një sondazh i agjencisë së lajmeve Reuters dhe organizatës “Ipsos” në mars tregoi se Presidenti Biden ka një epërsi prej tre për qind ndaj ish Presidentit Trump në mesin e amerikanëve të moshës 18 deri 29 vjeç. Ky është një avantazh shumë më i vogël se epërsia prej 24% me të cilin Biden fitoi votën e të rinjve katër vjet më parë.