Biden bëri histori duke zgjedhur një admirale që të udhëheq marinën amerikane
Presidenti amerikan, Joe Biden ka zgjedhur një admirale grua për të udhëhequr marinën amerikane – hera e parë që një grua emërohet për të drejtuar një degë të shërbimit ushtarak të Pentagonit.
Lisa Franchetti ka qenë në krye të Flotës së 6-të të SHBA-së dhe forcave detare të SHBA-së në Korenë e Jugut, dhe gjithashtu ka shërbyer si komandante e aeroplanmbajtësve.
Por, senati amerikan duhet të miratojë emërimin e liderit amerikan, raporton bbc. Një ligjvënës aktualisht po bllokon Senatin pasi po proteston ndaj politikës së abortit ushtarak.
Nëse konfirmohet si Shefe e Operacioneve Detare, ajo do të jetë gruaja e parë që do të bëhet anëtare e grupit elitar të oficerëve të lartë ushtarakë që përbëjnë Shefat e Shtabit të Përbashkët.
Si veterane 38-vjeçare, ajo ishte vetëm gruaja e dytë që arriti gradën e admiralit me katër yje, transmeton Telegrafi.
Sipas raportimeve në mediat amerikane, Adm Franchetti nuk ishte zgjedhja e parë e Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së Lloyd Austin, i cili në vend të kësaj rekomandoi të diplomuarin nga TOPGUN, Samuel Paparo si shefin e ardhshëm të Marinës.
Biden promovoi gjithashtu admin Paparo, duke e emëruar atë për t’u bërë komandant i forcave ushtarake amerikane në Paqësor.
Roja Bregdetare e SHBA-së aktualisht drejtohet nga një grua – Admiralja Linda Fagan – por ajo degë ushtarake është nën Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe jo nën Departamentin e Mbrojtjes.
Adm Franchetti do të marrë postin në vjeshtë, kur të përfundojë mandati katërvjeçar i shefit aktual. Por, ajo nuk do të jetë e plotfuqishme, pasi nuk ka gjasa që të votohet shumë shpejt nga senati amerikan.
Senatori republikan i Alabamës, Tommy Tuberville, aktualisht po bllokon senatin nga konfirmimi i më shumë se 270 nismave ushtarake shkaku politikës së Pentagonit që të paguajë shpenzimet e udhëtimit për ushtarakët që duan të abortojnë jashtë shtetit amerikan.
Në deklaratën e tij, Biden kritikoi senatorin, duke thënë se “ajo që po bën senatori Tuberville nuk është vetëm e gabuar, por është e rrezikshme”.