Biden: Civilët në Rafah duhet të mbrohen
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka përsëritur thirrjen e tij urgjente për mbrojtjen e popullsisë civile, përderisa ushtria izraelite po përgatitet për një sulm në qytezën Rafah në Rripin e Gazës.
Një operacion ushtarak në Rafah “nuk duhet të nisë pa një plan të besueshëm, një plan të besueshëm për ofrimin e sigurisë dhe mbështetjes së mbi 1 milion personave që po strehohen atje”, ka thënë Bideni më 12 shkurt pasi është takuar në Shtëpinë e Bardhë me mbretin e Jordanisë, Abdullah II.
Shumë persona në Gazë janë zhvendosur për shkak të luftimeve që nisën pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kreu sulmin e 7 tetorit në jug të Izraelit, duke çuar në kundërpërgjigje të fuqishme të Izraelit.
Udhëheqësit izraelitë kanë paralajmëruar se shënjestra e radhës do të jetë Rafahu. Bideni ka thënë se personat që janë strehuar në këtë qytezë “janë të ekspozuar dhe të cenueshëm”.
“Ata duhet të mbrohen”, ka thënë udhëheqësi amerikan.
Qeveria amerikane e ka bërë të qartë që në fillim se është kundër çdo dëbimi me forcë të palestinezëve nga Rripi i Gazës.
Ndërsa mbreti Abdullah II i Jordanisë paralajmëroi kundër një ofensive izraelite në Gazë.
“Ne nuk mund të përballojmë një sulm izraelit në Rafah. Është e sigurt se do të prodhojë një krizë tjetër humanitare”, ka thënë ai.
Që nga nisja e luftës në Gazë, mbi 1 milion persona janë zhvendosur, sipas mbretit jordanez, i cili bëri thirrje që menjëherë të arrihet një armëpushim i përhershëm.
Ushtria izraelite ka thënë se po harton plane, që përfshijnë edhe evakuimin e qindra mijëra civilëve që po strehohen në Rafah, që gjendet në cepin më jugor të Rripit të Gazës, në kufi me Egjiptin.
Sipas Kombeve të Bashkuara, në Rafah aktualisht gjenden 1.3 milion persona. Kjo qytezë kishte një popullsi prej afër 250.000 personash para se të niste lufta.
Në sulmin që ka nxitur luftën, Hamasi ka vrarë u afër 1 200 persona, shumica civilë dhe ka rrëmbyer afër 250 të tjerë nga jugu i Izraelit. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 28 000 persona, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë.