Biden garanton se do të ketë transferim paqësor të pushtetit

07 nëntor 2024 | 19:24

Presidenti amerikan, Joe Biden, në deklarimin e parë publik që kur republikani Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, garantoi se do të ketë transferim paqësor të pushtetit, duke shtuar se kjo do të bëhet “sepse njerëzit e meritojnë këtë”.

Kjo deklaratë duket se ishte një referencë për Trumpin, i cili kishte tentuar të përmbyste humbjen e tij kundër Bidenit më 2020 dhe kishte ngritur pretendime të pabaza për mashtrime zgjedhore. Trump, atëbotë, nuk ishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Bidenit si president, rapporton rel.

“Kthimet prapa janë të pashmangshme. Të heqësh dorë është e pafalshme”, tha Biden nga Shtëpia e Bardhë teksa iu drejtua stafit të zhgënjyer nga humbja në zgjedhje e nënpresidentes demokrate, Kamala Harris.

“Disfata nuk do të thotë se je mposhtur”, tha Biden.

Presidenti amerikan tha se zgjedhjet e 5 nëntorit dëshmuan integritetin e sistemit zgjedhor amerikan.

“Ne humbëm këtë betejë. Amerika e ëndrrave tuaja po ju kërkon që të ngriheni sërish në këmbë”, tha Biden.

Ai po ashtu tha se “do të jemi mirë, por duhet të mbesim të angazhuar”.

Disa demokratë e kanë fajësuar Bidenin për humbjen e Harrisit, duke thënë se ai nuk është dashur që të synonte rizgjedhjen. Biden u tërhoq nga synimi i tij për rizgjedhje në korrik, pas një paraqitjeje të dobët në debatin me Trumpin, që ngriti dyshime për aftësinë e tij për të mposhtur Trumpin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka prezantuar kandidatin për…