Biden: Lufta në Ukrainë nuk mbaron shpejt

26 mars 2022 | 20:09

Në përmbyllje të vizitës së tij dyditore në Poloni, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se Ukraina nuk duhet të frikësohet pasi që nuk do të jetë e vetme në luftën e saj.

Biden tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka përdorur gënjeshtra si justifikime për të pushtuar Ukrainën. Duke ushtruar agresion mbi Ukrainën, Biden tha se Rusia, ka mbytur demokracinë.

“Në këtë betejë ne duhet t’i kemi sytë hapur. Kjo betejë nuk do të fitohet as për disa ditë e as për disa muaj. Ne duhet të forcojmë veten për luftën e gjatë përpara nesh”, tha Biden në fjalimin e tij.

Biden tha se nuk ekziston asnjë justifikim për agresionin brutal të Rusisë në Ukrainë.

Këto komente presidenti Biden i bëri nga Kështjella Mbretërore në Varshavë, një simbol i kryeqytetit polak që u rindërtua pasi u shkatërrua në masë të madhe në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.

“Ukraina dhe populli i saj janë në vijën e parë, duke luftuar për të shpëtuar kombin e tyre dhe rezistenca e tyre e guximshme është pjesë e një lufte më të madhe për parimet thelbësore demokratike që bashkojnë të gjithë njerëzit e lirë”, ka deklaruar Biden, raporton Rel.

Presidenti Joe Biden i bëri thirrje popullit rus që të kundërshtojë regjimin e presidentit Putin, duke thënë se një lider si ai nuk meriton të jetë në udhëheqje.

“Më lejoni të them këtë, nëse jeni në gjendje të më dëgjoni. Ju, populli rus nuk jeni armiku ynë. Refuzoj të besoj se ju e mirëprisni vrasjen e fëmijëve dhe gjyshërve të pafajshëm. Ose që pranoni [shkatërrimin] e spitaleve, shkollave, materniteteve, për hir të Zotit, duke u goditur me raketa dhe bomba ruse”, ka thënë presidenti Biden, mesazh ky adresuar popullit rus.

Biden, porositi Moskën zyrtarë që të mos i shkoi mendja të sulmoi asnjë centimetër të territorit të NATO-s, pasi siç tha ai, do të ketë konsekuenca të rënda.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ditës së sotme është raportuar se dy shtetas kosovarë…