Biden: Nëse nuk çohemi kundër diktatorëve, ata vazhdojnë të vijnë e të vijnë

03 maj 2022 | 23:06

Presidenti amerikan Joe Biden ka vizituar sot një fabrikë armësh në Alabama, në të cilën prodhohen edhe armët që po i dërgohen Ukrainës nga ShBA-ja për t’i rezistuar agresionit rus.

Ai lavdëroi ritmin e shpejtë të dërgimit të armëve, të pajisjeve dhe ndihmave të ndryshme që janë transportuar drejt Ukrainës në dy muajt e fundit prejse Rusia nisi luftën.

“Jemi siguruar që s’do të ketë asnjë ndërprerje në ritmin e dërgimit të pajisjeve në Ukrainë”, ka thënë Biden, raporton “The Guardian”.

“Prejse Rusia pushtoi Ukrainën kemi dërguar më shumë se 3 miliardë dollarë asistencë sigurie në Ukrainë, vetëm ne, pa aleatët tanë. Dhe ajo shumë parash është investim në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë”, tha ai.

Duke aluduar në presidentin rus Vladimir Putin, ai tha se diktatorët duhet kundërshtuar.

“Nëse nuk ngreheni kundër diktatorëve, siç na ka treguar historia, ata vazhdojnë të vijnë dhe të vijnë. Apetiti i tyre vazhdon të rritet”, tha ai.

Ai, po ashtu, ka vlerësuar punëtorët e fabrikës, duke thënë se duart e tyre kanë prekur çdo raketë që po përdoret në Ukrainë për ta luftuar Rusinë. Ai u ka thënë atyre që duhet të jenë krenarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nisje si në ëndrra ajo e Villarrealit, që ia doli…