Biden nominon David J. Kostelancik për ambasador në Shqipëri
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden ka nominuar emra të rinj për të shërbyer si udhëheqës kryesorë në administratën e tij, përfshirë disa ambasadorë, në mesin e të cilëve është edhe i nominuari për ambasador të ardhshëm në Shqipëri.
Biden nominoi diplomatin David J. Kostelancik për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Pas nominimit nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, propozimi i kalon Senatit për miratim dhe më pas pritet që Kostelancik të marrë zyrtarisht detyrën duke zëvëndësuar ambasadoren Yuri Kim.
David J. Kostelancik, diplomat karriere, aktualisht shërben si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Gjeneralit Mark Milley. Ai ka shërbyer më herët si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.
Diplomati ka qënë i përfshirë në Misionin e SHBA në OSBE dhe Misionin e SHBA në NATO.
Ai ka ushtruar disa detyra të rëndësishme si: Drejtori i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore e Qendrore dhe Drejtori i Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjit. Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën e SHBA në Rusi.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim e nisi misionin e saj në Shqipëri më 22 janar 2020.