Biden paralajmëron se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën në muajin shkurt

28 janar 2022 | 10:46

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka paralajmëruar se ekziston “një mundësi e qartë” që Rusia mund ta pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm, tha Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Biden i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike që zhvilloi të enjten me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

“Presidenti Biden tha se ka një mundësi të qartë se rusët mund ta pushtojnë Ukrainën në muajin shkurt”, tha Emily Horne, zëdhënëse e Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

“Ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar për këtë gjë për muaj të tërë”, shtoi ajo, transmeton BBC.

Gjatë kësaj bisede, Biden ka “riafirmuar gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve e partnerëve që të përgjigjen me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti ukrainas Zelenskiy tha se me presidentin Biden ka “diskutuar lidhur me përpjekjet e fundit diplomatike për shtensionimin e situatës dhe u pajtuam për veprime të përbashkëta në të ardhmen”.

Grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën ka rritur shqetësimet se Moska është duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.

Rusia mohon se po planifikon ndonjë sulm.

Muajin e kaluar, Rusia prezantoi kërkesat e sigurisë për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara dhe kërkoi përgjigje me shkrim. Kërkesat kryesore ishin ndalimi i Ukrainës që të anëtarësohet në NATO dhe që aleanca ushtarake të mos zgjerohet nga lindja.

Por, më 26 janar, përmes një letre dërguar Qeverisë ruse, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken refuzoi kërkesën e Rusisë që Kievit t’i ndalohej që në të ardhmen të anëtarësohej në aleancën ushtarake. Megjithatë, SHBA-ja ofroi “në rrugë serioze diplomatike” për zgjidhjen e krizës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se pavarësisht se përgjigja e SHBA-së ka lënë pak vend për optimizëm, duke shtuar se “gjithmonë ka mundësi për vazhdim të dialogut dhe është në interes tonin dhe të amerikanëve”.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se përgjigja formale e SHBA-së nuk adreson “shqetësimin kryesor” të Rusisë lidhur me zgjerimin e NATO-s.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për arsye të mungesës se diversifikimit të burimeve prodhimit të…