Biden takohet me gruan dhe vajzën e Navalnyt
Presidenti amerikan, Joe Biden, është takuar në Kaliforni me të venë dhe vajzën e politikanit të ndjerë rus, Aleksei Navalny.
Navalny vdiq javën e kaluar në një burg në Arktik.
Biden u takua me Yulia dhe Dasha Navalnaya në San Francisko “për t’iu shprehur ngushëllime për humbjen e tyre të tmerrshme”, tha Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate, duke shtuar se Biden ka riafirmuar njoftimin paraprak se më 24 shkurt, Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të vdekjes së Navalnyt.
Gjatë takimit të tij, “presidenti shprehu admirimin e tij për kurajën e jashtëzakonshme të Aleksei Navalnyt dhe për trashëgiminë e tij në luftën kundër korrupsionit dhe për një Rusi të lirë dhe demokratike”, u tha në njoftim.
Biden “theksoi se trashëgimia e Alekseit do të vazhdohet nga e gjithë populli në mbarë Rusinë dhe mbarë botën që e nderojnë atë dhe luftën e tij për liri, demokraci dhe të drejta të njeriut”.
Autoritetet ruse njoftuan më 16 shkurt se Navalny, 47 vjeç, vdiq papritur teksa po mbahej në burg.
Navalny, një prej kritikëve më të zëshëm të presidenti rus, Vladimir Putin, po vuante një dënim të gjatë për akuza për ekstremizëm që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.