Biden takon presidentin Xi Jinping në Kaliforni: Konkurrenca SHBA-Kinë të mos kthehet në konflikt
Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai kinez, Xi Jinping, janë takuar këtë të mërkurë në kompleksin historik Filoli, në San Françisko, për gati katër orë për të diskutuar rreth një game të gjerë çështjesh dypalëshe dhe globale. Takimi zhvillohet në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, APEC.
Biden tha se është thelbësore që ai dhe homologu i tij kinez Xi Jinping të kenë një mirëkuptim të sinqertë për njëri-tjetrin gjatë nisjes së samitit në Kaliforni.
“Mendoj se është parësore që ju dhe unë të kuptojmë njëri-tjetrin qartësisht nga lideri tek lideri, pa keqkuptime apo keqkomunikim”, i tha Biden Xi-t ndërsa samiti po zhvillohej.
Biden tha se konkurrenca midis SHBA-së dhe Kinës nuk mund të anonte drejt konfliktit dhe shtoi se takimet e tij të kaluara me Xi-n kanë qenë “të sinqerta, të drejtpërdrejta dhe të dobishme”.
“Si gjithmonë, nuk ka asnjë zëvendësues për diskutimet ballë për ballë. Unë i kam parë gjithmonë diskutimet tona të drejtpërdrejta dhe të sinqerta”, tha Biden.
Biden tha se udhëheqësit kishin një përgjegjësi ndaj popullatës së tyre për të punuar së bashku, duke përfshirë çështjet e ndryshimeve klimatike, kundër trafikimit të narkotikëve dhe afrimit të inteligjencës artificiale.