Biden: Ukraina kurrë nuk do të jetë një fitore për Rusinë
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Ukraina “kurrë nuk do të jetë një fitore për Rusinë”.
Këto deklarata ai i bëri gjatë një fjalimi në Poloni, pak ditë para se të shënohet njëvjetori i nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
“Një diktator i prirë që të rindërtojë një perandori kurrë nuk do të jetë në gjendje të shtypë dashurinë e njerëzve për lirinë, brutaliteti kurrë nuk do të shkatërrojë vullnetin e të lirëve. Ukraina kurrë nuk do të jetë një fitore për Rusinë, kurrë”, tha Biden para qytetarëve të mbledhur jashtë Kështjellës Mbretërore në Varshavë.
Biden po ashtu foli për komentet e presidentit rus, Vladimir Putin, që akuzoi Perëndimin se po “kërcënon ekzistencën e Rusisë” me luftën në Ukrainë.
“Perëndimi nuk po planifikon që ta sulmojë Rusinë, siç tha [presidenti rus, Vladimir] Putin sot. Miliona qytetarë rusë që dëshirojnë të jetojnë në paqe me fqinjët e tyre, nuk janë armiqtë”, tha Biden.
Biden po ashtu paralajmëroi Rusinë se nëse sulmon ndonjë shtet të NATO-s, do të përballej me një përgjigje të fuqishme ushtarake.
“Të mos ketë asnjë dyshim: Përkushtimi i SHBA-së për aleancën tonë të NATO-s dhe për Nenin 5 është i fortë”, tha Biden. “Çdo shtet anëtar i NATO-s e di dhe Rusia e di mirë po ashtu. Çdo sulm ndaj ndonjërit prej nesh është sulm ndaj të gjithë neve. Është një betim i shenjtë për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, theksoi presidenti amerikan.