Biden: Unë po qëndroj dhe do të fitoj
Presidenti amerikan, Joe Biden mbajti një fjalim të ri para mbështetësve në Detroit dhe përsëriti se, pavarësisht kritikave, ai nuk planifikon të heqë dorë nga kandidatura për president të SHBA-së.
Para se 81-vjeçari të dilte në skenë, simpatizantët e mbledhur kanë brohoritur “mos u dorëzo”, dhe pasi arriti në foltore, presidenti amerikan e filloi fjalimin me një fjali.
“Më ruani kurrizin? Edhe unë po iu ruajë kurrizin”, tha Biden.
Pas kësaj, ai ka reflektuar për ngjarjet e javëve të fundit dhe njoftimin se do të largohej nga gara presidenciale.
“Ka pasur shumë spekulime kohët e fundit. Çfarë do të bëjë Joe Biden? A do të dalë nga gara? A do të largohet? Unë do të qëndroj dhe do të fitoj”, tha presidenti amerikan.
Biden kritikoi gjithashtu qëndrimin e mediave ndaj tij.
“Ju mund të keni vënë re se gazetarët dhe ‘djemtë e mirë’ më kanë ngacmuar që nga debati. Unë bëj shumë gabime. Është e drejtë. Ndonjëherë ngatërroj emra. Por, Trump mashtron – madje edhe në lojën e golfit që e luan në fushën e vetë”, tha demokrati.
Ai përsëriti se Trump është një kriminel i dënuar dhe se ai u gjet përgjegjës për sulm seksual.
“Nuk po bëj shaka. Është koha të ndalojmë së trajtuari politikën si argëtim dhe reality show. Katër vite të tjera të Donald Trumpit mund të jenë vdekjeprurëse për vendin tonë”, përfundoi Biden.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane do të mbahen më 5 nëntor të këtij viti.