Biden zyrtarizon kandidimin në zgjedhjet presidenciale në SHBA
Ish-nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka shpallur para pak qastesh pjesëmarrjen në garën e partisë demokrate për nominim presidencial në zgjedhjet e vitit 2020.
“Ndodhemi në një betejë për shpirtin e këtij vendi”, ka thënë Biden në videon e transmetuar të enjten, me të cilën ai e hapi zyrtarisht fushatën për ta sfiduar presidentin aktual, republikanin Donald Trump, në garën e vitit të ardhshëm, ka raportuar “Reuters”.
Me këtë rast, Binden u ka bërë thirrje votuesit që t’ia mohojnë Trumpit një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Biden (76) është menduar për muaj të tërë nëse të marrë pjesë në garë. Kandidimi i tij do të përcillet me pyetje të shumta, përfshirë atë nëse ai është tepër i moshuar dhe centrist për Partinë Demokrate të etur për fytyra të reja.
Pavarësisht kësaj, ai e hapi garën si lider në sondazhet mes partisë demokrate, në emër të të cilës më së 20 pretendues kanë shpallur kandidaturat për ta sfiduar rivalin republikan Trump në nëntor të 2020-s.