Bideni dhe liderët evropianë do të diskutojnë për Ukrainën
Presidenti amerikan, Joe Biden do të bisedojë me liderë të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të martën, për të diskutuar zhvillimet e fundit rreth pushtimit rus në Ukrainë, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Bideni pritet të bisedojë përmes telefonit me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministrin italian, Mario Draghi dhe kryeministrin britanik, Boris Johson.
Kjo thirrje telefonike do të zhvillohet pas bisedimeve për paqe në mes të Ukrainës dhe Rusisë, të cilat janë mbajtur në Stamboll.
Moska është zotuar se do të zvogëlojë operacionet ushtarake rreth qyteteve ukrainase, Kiev dhe Çernihiv, derisa Ukraina ka propozuar status neutral dhe garanci ndërkombëtare të sigurisë, për të mbajtur territorin që ka.
Bideni është kthyer nga Evropa, pas vizitave që ka kryer me liderë evropianë dhe ka qenë pjesë e samitit të NATO-s, për të diskutuar përgjigjen e Perëndimit ndaj luftës në Ukrainë.
Macroni është thënë se do të diskutojë të martën edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.