![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/03/B-19-600x360-1.jpg)
Bideni dhe Trumpi i sigurojnë nominimet, riballafaqohen në nëntor
Presidenti aktual amerikan Joe Biden dhe rivali i tij republikan, Donald Trump, i fituan garat partiake në Georgia, Mississippi dhe Uashington të martën, duke e forcuar edhe më shumë riballafaqimin për të cilin shumë votues nuk janë të kënaqur.
Të dy kandidatët i morën pothuajse të gjitha votat që ishin në garë deri më tani. Bideni fitoi të martën në mëngjes edhe në Ishujt Verior të Mariana-s, duke siguruar 11 delegatë, raporton gazeta “The Guardian”.
Trumpi garoi pa ndonjë kundërshtar serioz në Georgia, edhe pse disa emra u shfaqën në fletën e votimit, duke tërhequr pak votues.
Scott Carpenter nga Roswell-i votoi për zonjën Nikki Haley, sepse tha se ai e urren Trumpin. Më 2020 kishte votuar për Bidenin. “Nuk më pëlqen Trumpi. Nuk më pëlqen Bideni. Thjesht desha një zgjedhje tjetër” – tha amerikani.
Bideni fitoi delegatë të mjaftueshëm në Georgia pothuajse menjëherë për ta siguruar nominimin e Partisë Demokratike, për të cilin kërkoheshin 1.968 delegatë në votimin e parë për të fituar.
“Para katër vjetëve, unë garova për president, sepse besoja se ishim në një betejë për shpirtin e këtij kombi. Falë popullit amerikan, ne e fituam betejën dhe tani jam i nderuar që koalicioni i gjerë i votuesve, që e përfaqëson diversitetin e gjerë të Partisë Demokratike në mbarë vendin, e ka vënë besimin në mua edhe një herë për ta udhëhequr partinë tonë – dhe vendin tonë – në një moment kur rreziku që e paraqet Trumpi është më i lartë se kurrë më parë” – tha Bideni në një deklaratë.
Edhe Trumpi është në rrugë të duhur për t’i siguruar 1.215 delegatët e nevojshëm për nominimin e Partisë Republikane.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen më 5 nëntor të këtij viti.