Bideni do ta nisë vitin duke bërë fushatë në mbrojtje të demokracisë
Presidenti i Amerikës, Joe Biden, do ta nisë vitin duke bërë fushatë në vende me rëndësi historike ku do të përkujtojë ngjarje të rënda, duke përfshirë trevjetorin e sulmit vdekjeprurës ndaj Kapitolit.
Ai gjithashtu do ta vizitojë një kishë në Karolinën e Jugut, ku një amerikan i bardhë i armatosur vrau besimtarët afrikano-amerikanë.
Gjatë këtyre vizitave ai pritet të argumentojë se zgjedhjet presidenciale që do të mbahen këtë vit mund të përcaktojnë fatin e demokracisë amerikane.
Të shtunën, presidenti Biden do të shkojë në një zonë të Pensilvanisë, Valley Forge, ku George Uashington dhe Ushtria Kontinentale kaluan një dimër të zymtë gati 250 vjet më parë.
Atje, ai do të dënojë rolin e ish-presidentit Donald Trump për të nxitur mbështetësit e tij që sulmuan Kongresin amerikan në një përpjekje për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Dy ditë më vonë, presidenti do ta vizitojë kishën “Mother Emanuel” në Çarleston ku nëntë persona janë vrarë me armë zjarri në qershorin e vitit 2015 nga një supremacist i bardhë.
Gjatë këtyre dy vizitave, ai do ta karakterizojë paraardhësin e tij si një kërcënim serioz për parimet mbi të cilat u themelua vendi, duke argumentuar se Trumpi do ta minojë demokracinë amerikane nëse fiton një mandat të dytë. Ish-presidenti Trump ka epërsi të thellë mes kandidatëve që po përpiqen të sigurojnë emërimin e Partisë Republikane. “Ne po drejtojmë fushatën me idenë se fati i demokracisë sonë varet nga zgjedhjet, pasi kështu është”, ka thënë menaxherja e fushatës për rizgjedhjen Bidenit, Julie Chavez Rodriguez në një konferencë me telefon me gazetarët.
Trumpi, i cili ndër të tjera përballet edhe me 91 akuza penale lidhur me dyshimet se kishte bërë përpjekje për të përmbysur fitoren e Bidenit, ka argumentuar se janë demokratët ata që po përpiqen të minojnë demokracinë duke përdorur sistemin ligjor për të penguar fushatën e rivalit kryesor të presidentit. “Joe Biden dhe aleatët e tij janë një kërcënim i vërtetë për demokracinë tonë”, është shkruar në një memorandum këtë javë këshilltarët kryesorë të fushatës së zotit Trump, Chris LaCivita dhe Susie Wiles. “Në fakt, në një mënyrë të paparë më parë në historinë tonë, ata po bëjnë një luftë kundër tij”, ka thënë ai.
Përmendja e traumave kombëtare nga presidenti Biden, shpesh duke bërë thirrje për veprim, është bërë karta e tij politike.
Tragjeditë kanë përcaktuar jetën e vetë presidentit, nga aksidenti me makinë i vitit 1972 që i mori jetën gruas së tij të parë dhe vajzën e mitur, deri te vdekja e të birit Beau nga kanceri i trurit në moshën 46-vjeçare në vitin 2015.
Në vitin 2020, zoti Biden fitoi për herë të parë duke premtuar se do të shëronte “shpirtin e kombit” pasi tha se ajo që e shtyu të hynte në garë për president ishte kur pa grupet e urrejtjes që marshonin në Çarlotsvill të Virxhninias, me pishtarë dhe svastika në vitin 2017.
Në vend që të premtojë të kapërcejë ndasitë e thella politike të vendit, siç bëri katër vjet më parë, presidenti Biden do të theksojë se si ish-presidenti Trump dhe mbështetësit kryesorë të lëvizjes së tij “Make America Great Again” paraqesin kërcënime ekzistenciale. “Kandidati kryesor i një partie të madhe në Shtetet e Bashkuara po kandidon për president në mënyrë që të mund të shpërbëjë dhe shkatërrojë sistematikisht demokracinë tonë”, ka thënë Michael Tyler, drejtori i komunikimit i fushatës së presidentit Biden.
Edhe nëse një tjetër kandidat e mund Trumpin në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane, ekipi i Bidenit ka argumentuar se fituesi do të ishte mjaft i ngjashëm me ish-presidentin dhe se temat e fushatës do të ishin të ngjashme.
Shumica e amerikanëve janë të shqetësuar për të ardhmen e demokracisë në zgjedhjet e ardhshme megjithëse se çfarë konsiderojnë kërcënime ndaj demokracisë varet nga prirja e tyre politike.
Fushata e Bidenit ka premtuar gjithashtu se do të mobilizohet gjerësisht për të shënuar më 22 janar, përvjetorin e vendimit të Gjykatës së Lartë që ka legalizuar abortin në mbarë vendin për gati 50 vjet, përpara se gjykata e lartë të anulonte vendimin në qershor të vitit 2022.
Ekipi i Bidenit ka argumentuar se të drejtat e abortit dhe demokracia janë të ndërthurura në zgjedhjet e ardhshme duke u mbështetur në paralajmërimet e presidentit Trump dhe siç i quajnë demokratët “ekstremistët MAGA”. Sipas demokratëve ishte lufta e republikanëve kundër abortit që ka ndihmuar demokratët të sfidonin precedentin historik duke mbajtur shumicën në Senat dhe duke humbur vetëm me një diferencë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve ndaj republikanëve në zgjedhjet e Kongresit në nëntorin e vitit 2022.