Bideni i dërgon letër Osmanit, shkruan edhe për njohjen reciproke Kosovë-Serbi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden, i ka dërguar një telegram urimi ushtrues së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Bideni në telegram urimi drejtuar Osmanit ka përmendur edhe çështjen e dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se kjo marrëveshje duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë, me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale Covid-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson në një të ardhme të prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës”, është thënë ndër të tjera në telegram urimin e Bidenit, drejtuar Osmanit.