Bideni i vendosur: Do ta mposht Trumpin
Presidenti amerikan Joe Biden u është drejtuar demokratëve të Kongresit në një letër të hënën, duke u thënë se nuk do të tërhiqet nga gara pavarësisht prej shqetësimeve në rritje për aftësinë e tij mendore dhe qëndrueshmërinë e fushatës së tij.
“Dua që ju të dini se pavarësisht nga të gjitha spekulimet në shtyp dhe gjetkë, unë jam i vendosur për të qëndruar në këtë garë deri në fund dhe për ta mposhtur Donald Trump”, inështë thënë në letrën e Bidenit.
Kongresi kthehet në Uashington të martën për herë të parë që nga debati i 27 qershorit në “CNN” që ka shkaktuar shqetësime mbi aftësinë e Bidenit për të siguruar një fitore për demokratët në nëntor dhe për të shërbyer katër vjet të tjera në detyrë.
Në javën pas performancës së tij katastrofike të debatit, Bideni personalisht ka kontaktuar me afërsisht 20 demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, ka thënë një zyrtar i fushatës për “CNN”, dhe ka folur me liderët e partisë duke përfshirë udhëheqësin e shumicës në Senat, Chuck Schumer, udhëheqësin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries dhe deputetët Nancy Pelosi dhe James Clyburn, me synimin për t’i siguruar ata se shqetësimet brenda partisë po dëgjohen.
Pelosi ka thënë se pyetjet rreth performancës katastrofike të Bidenit në debatin presidencial ishin “legjitime”.
I pyetur për komentet e Pelosit, Bideni ka thënë për “ABC News”, “ishte një ngjarje e keqe. Asnjë indikacion për ndonjë gjendje të rëndë. Isha i rraskapitur.”
Në një telefonatë me demokratët e lartë të Dhomës së Përfaqësuesve të mbledhur të dielën nga Jeffries, një sërë ligjvënës shprehën shqetësimet e tyre gjatë një bisede që një ndihmës e përshkroi për “CNN” si “shumë brutale”.
Këta ligjvënës, të cilët “CNN” ka raportuar se përfshijnë përfaqësuesit Jerry Nadler, Adam Smith, Mark Takano dhe Joe Morelle përfaqësojnë demokratët e rangut më të lartë në komisionet e Gjyqësorit, të Shërbimeve të Armatosura, të Çështjeve të Veteranëve dhe të Administratës së Dhomës së Përfaqësuesve.