Bideni merr dozën e dytë të vaksinës kundër Covid-19
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mori të hënën dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit. Procedura u transmetua në rrjetet kabllore, pak minuta pasi ndodhi.
Në komentet e shkurtra për gazetarët, ai tha se ka besim tek ekipi i tij për rritjen e shkallës së vaksinimit, pasi të marrë detyrën më 20 janar.
Biden e ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer/BioNTech më 21 dhjetor.
Për të qenë efektive, kjo vaksinë duhet të jepet në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.
Koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka prekur mbi 22 milionë njerëz, ndërsa ka vrarë mbi 374,000.
Me këto shifra, SHBA-ja është vendi më i goditur në botë. Në Evropë prin Mbretëria e Bashkuar me mbi 3.1 milionë të infektuar dhe mbi 82,000 viktima. Numri global i të infektuarve ka kaluar 90 milionë. Prej tyre, mbi 1.9 milion pacientë kanë vdekur dhe mbi 50 milionë janë shëruar.