Bideni, mesazh Begajt: ShBA-ja mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar Shqipërinë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë takimit me përfaqësuesen e ShBA-së në OKB, ambasadoren Linda Thomas-Greenfield, ka marrë një mesazh falënderimi dhe mirënjohjeje nga presidenti amerikan, Joe Biden për Shqipërinë dhe popullin shqiptar për bashkëpunimin e fuqishëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale.
“Si aleatë të NATO-s, kemi punuar së bashku për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën. Përballë agresionit rus kundër Ukrainës, kemi qëndruar krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kemi bashkëpunuar për rezoluta të lidhura me luftën e padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë si dhe për adresimin e sfidave të tjera globale”, është shprehur Bideni në mesazhin e tij.
Bideni ka vlerësuar ndihmën bujare të Shqipërisë për strehimin e refugjatëve ukrainas dhe afganë, si kontribut për një botë më të sigurt.
“ShBA-ja mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar në mënyrë domethënëse dhe të vazhdueshme Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes kibernetike, përfshirë mbështetjen financiare dhe ngritjen e një grupi pune për sigurinë kibernetike”, është thënë në mesazh e presidentit amerikan.
Me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Bideni ka nënvizuar se në vitet e ardhshme “dëshirojmë që ta thellojmë edhe më tej partneritetin tonë strategjik, si dhe do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për një rol më të madh lidershipi, përmes promovimit të stabilitetit dhe sigurisë energjetike në Ballkanin Perëndimor”.