Bideni nënshkruan ligjin, shqiponja kokëbardhë bëhet zyrtarisht zog kombëtar i ShBA-së

25 dhjetor 2024 | 13:26

Shqiponja kokëbardhë (Haliaeetus leucocephalus), simbol i fuqisë së Shteteve të Bashkuara për më shumë se 240 vjet, e mori një nder të vonuar të martën: u bë zyrtarisht zogu kombëtar i vendit.

Presidenti Joe Biden e nënshkroi legjislacionin e dërguar tek ai nga Kongresi, duke e shndërruar në ligj. Me këtë legjislacion amendamentohet Kodi i Shteteve të Bashkuara për ta bërë shqiponjën kokëbardhë zog kombëtar, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Shqiponja kokëbardhë paraqitet në stemën e Shteteve të Bashkuara, që përdoret në dokumente zyrtare, që nga viti i largët 1782, kur ishte finalizuar dizajni. Stema përbëhet nga shqiponja, një degë ulliri, heshtat, një fushë të ngjashme me flamurin, motoja “E Pluribus Unum” dhe një plejadë yjesh.

Kongresi po atë vit e kishte caktuar shqiponjën kokëbardhë si emblemë kombëtare dhe pamja e saj paraqitet në shumë hapësira, përfshirë dokumentet, flamurin presidencial, shenjat ushtarake e dollarin amerikan, sipas uebfaqes zyrtare të Qeverisë së ShBA-së.

Megjithatë, shqiponja kokëbardhë kurrë nuk është caktuar zyrtarisht me epitetin të cilin shumë njerëz mendonin se ekzistonte – zog kombëtar.

Shqiponja kokëbardhë është banore indogjene e Amerikës së Veriut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Ragip…