Bideni paralajmëron se Rusia mund të futet në Ukrainë në shkurt

28 janar 2022 | 08:18

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka paralajmëruar se ekziston “një mundësi e qartë” se Rusia mund të futet me ushtri në Ukrainë muajin e ardhshëm, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë Rusia thotë se sheh “pak hapësirë për optimizëm” për zgjidhjen e krizës, pasi Shtetet e Bashkuara ia refuzuan kërkesat kryesore, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.

Komenti i presidentit amerikan u bë në një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky të enjten.

“Presidenti Biden tha se është një mundësi e dalluar që Rusia do të mund ta sulmonte Ukrainën në shkurt. Ai e tha këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar me muaj për këtë”,  tha zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Emily Horne.

Gjatë bisedës me presidentin ukrainas, Presidenti Biden “e ripohoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara bashkë me aleatët dhe partnerët e tyre për t’u përgjigjur në mënyrë vendimtare, nëse Rusia e pushton më tej Ukrainën”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Në anën tjetër, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se me homologun amerikan “i diskutuan përpjekjet e fundit diplomatike për shtensionim dhe u pajtuan për veprime të përbashkëta për të ardhmen”.

Faqja amerikane e lajmeve, “Axios”, duke cituar burime të pasaktësuara, sugjeroi se presidentët nuk u pajtuan për atë se sa afër është konflikti. Disa ekspertë ushtarakë thonë se Rusia mund të jetë duke pritur që të ngrihet toka në Ukrainë në mënyrë që të mund t’i lëvizin pajisjet e rënda.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Omicroni po prodhon simptoma të ndryshme nga Delta, por të…