Bideni pritet ta takojë Netanyahun në fund të korrikut
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takohen në Uashington në fund të korrikut, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Në atë kohë, përkatësisht më 24 korrik, Netanyahu pritet t’i drejtohet Kongresit të ShBA-së në lidhje me luftën e ushtrisë së tij në Gaza.
Pavarësisht luftës, ShBA-ja ka vazhduar mbështetjen për Izraelin, si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në sigurimin e armëve, por Bideni ka shprehur disa herë shqetësime për sjelljen e Izraelit.
Në një rast, ai e ka cilësuar atë si “ekstreme”.
Gjatë një bisede telefonike me Netanyahun në prill, Bideni i ka kërkuar atij që të ndërmarrë më shumë hapa për t’i mbrojtur civilët në Gaza, duke thënë se politika e ShBA-së mund të ndryshojë.
Lufta në Gaza ka shpërthyer në tetor të vitit të kaluar, kur Hamasi – grup i shpallur terrorist nga ShBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar i pari Izraelin, duke vrarë rreth 1 200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.
Në përgjigje, Izraeli është duke kryer sulme masive në Gazë – enklavën që kontrollon Hamasi.
Autoritetet shëndetësore në Gaza kanë thënë se afro 38 mijë njerëz janë vrarë prej se ka nisur lufta.