Bideni publikon planin e tij për buxhetin e vitit 2024
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka publikuar një plan shpenzimesh qeveritare prej 6.8 trilionë dollarësh për vitin 2024, duke bërë thirrje për dhjetëra iniciativa të reja dhe taksa më të larta për korporatat dhe individët e pasur. Por republikanët thanë menjëherë se buxheti i propozuar nga presidenti Biden nuk ka shans të miratohet nga Kongresi.
Presidenti demokrat Joe Biden, i cili është në mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë dhe ka thënë se do të kandidojë për një mandat të dytë vitin e ardhshëm, bëri thirrje për më shumë fonde për konkurrencën ekonomike dhe ushtarake me Kinën, shpenzime më të mëdha për kujdesin shëndetësor për amerikanët, nisma të reja arsimore dhe për rritjen e personelit të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit.
“Kina është konkurrenti i vetëm i Shteteve të Bashkuara me synimin dhe fuqinë gjithnjë e më të madhe ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike për të ndryshuar rendin botëror”, tha Shtëpia e Bardhë në një përmbledhje të buxhetit.
Publikimi i planit të buxhetit vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara së shpejti pritet të përballen me një debat partiak mbi rritjen e tavanit të borxhit prej 31.4 trilionë dollarësh të vendit.
Nëse presidenti Biden dhe Kongresi nuk bien dakord për rritjen e tavanit të borxhit në muajt e ardhshëm, Shtetet e Bashkuar mund të mos jenë në gjendje të përmbushin detyrimet e tyre financiare për herë të parë në histori, një katastrofë financiare që mund të ndikojë në tregjet botërore dhe mund të rrisë nivelin e papunësisë në vend.
Kundërshtarët e presidentit Biden në Dhoma e Përfaqësuesve, të kontrolluar nga republikanët, kanë bërë thirrje për shkurtime të mëdha të shpenzimeve qeveritare, jo rritje të tyre në 12 muajt ardhshëm.
Presidenti Biden ka propozuar një rritje të shpenzimeve qeveritare për 12 muajt e ardhshëm, duke filluar nga 1 tetori, për të frenuar rritjen e deficitit vjetor, që ka arritur në më shumë se 1 trilion dollarë.
Republikanët thonë se shpenzimet qeveritare janë jashtë kontrollit dhe disa programe qeveritare duhet të shkurtohen ose eliminohen. Ndërkohë, presidenti Biden po bën thirrje për rritjen e taksave për të pasurit, ata që fitojnë më shumë se 400 mijë dollarë në vit, dhe korporatat për të financuar programet e tij të reja ose për t’i zgjeruar ato.
Publikimi i përparësive buxhetore të Bidenit i hap rrugën një debati disa mujor mbi shpenzimet qeveritare.