Bideni shpall gjendje të katastrofës në Teksas

20 shkurt 2021 | 19:03

Presidenti Joe Biden ka shpallur një katastrofë të madhe në Teksas, duke hapur rrugën për më shumë fonde federale për t’u shpenzuar në përpjekjet për ndihmë ndaj shtetit amerikan.

Energjia elektrike po kthehet në Teksas dhe temperaturat po rriten, por rreth 13 milion njerëz ende po përballen me vështirësi për të gjetur ujë të pastër.

Gati 60 vdekje i janë atribuuar motit të ftohtë në të gjithë SHBA-në.

Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden tha se ai kishte “urdhëruar ndihmë federale për të shtuar përpjekjet shtetërore dhe lokale të rimëkëmbjes së zonave të prekura nga stuhitë e mëdha të dimrit”.

“Ndihma mund të përfshijë grante për strehim të përkohshëm dhe riparime shtëpish, kredi me kosto të ulët për të mbuluar humbjet e ndryshme programe të tjera për të ndihmuar individët dhe pronarët e bizneseve të rikuperohen nga efektet e katastrofës” thuhet në deklaratë.

Disa shtete të tjera të jugut të goditura nga stuhitë e borës dhe akullit këtë javë kanë raportuar gjithashtu ndërprerje të shërbimit të ujit, shkruan BBC.

Moti i keq gjithashtu ka ndërprerë ujin në qytetin e Jackson, Misisipi – shtëpi për rreth 150,000 njerëz – si dhe qarkun më të madh në Tenesi që përfshin qytetin e Memfisit, me më shumë se 651,000 banorë.

Çfarë po ndodh në Teksas?

Rrjeti energjetik i shtetit jugperëndimor është mbingarkuar ndërsa temperaturat ranë në nivelet më të ulëta në 30 vjet, duke arritur në -18 gradë Celsius në fillim të kësaj jave.

Që nga e premtja, rreth 180,000 shtëpi dhe biznese në Teksas ende nuk kishin energji elektrike. Mes temperaturave ‘ngrirëse’ në fillim të kësaj jave, rreth 3.3 milion mbetën pa rrymë.

Rreth 13 milion njerëz – afër gjysma e popullsisë së shtetit – janë përballur me disa ndërprerje të shërbimeve të ujit pasi qindra shërbime uji janë dëmtuar nga ngrirja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka sulmuar subjektet politike…