Bideni uron kryeministren e re britanike Truss
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka uruar kryeministren e re të Britanisë së Madhe, Liz Truss, për marrjen e detyrës këtë të martë, shkruan Reuters.
Biden ka thënë se Uashingtoni dhe Londra do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për çështjet globale, duke përfshirë edhe pushtimin rus të Ukrainës.
“Mezi pres të thellojmë marrëdhëniet e veçanta midis vendeve tona dhe të punojmë në bashkëpunim të ngushtë për sfidat globale, duke përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën derisa mbrohet nga agresioni rus”, ka thënë Bideni në një mesazh të postuar në Twitter.
Liz Truss ka marrë edhe formalisht detyrën e kryeministres britanike. Kjo pas takimit me Mbretëreshën Elizabetë në Kalanë Balmoral më 6 shtator.
Një ditë më parë (të hënën), Truss fitoi garën në Partinë Konservatore, duke siguruar postin e lideres së kësaj partie dhe të kryeministres së re të Britanisë së Madhe.
Në garën partiake, Truss fitoi 57 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e brendshme ishte e lartë, përkatësisht 82.6 për qind e anëtarëve partiakë votuan për udhëheqësin e ri.
Boris Johnson dha dorëheqje më 7 korrik, pasi qeveria e tij u përball me skandale etike.