Bie çmimi i naftës në nivel global, por jo edhe në Kosovë, pse?

28 nëntor 2018 | 16:40

Tash e sa muaj në Kosovë është rritur ndjeshëm çmimi i naftës dhe qytetarët po e konsiderojnë të papërballueshme për të paguar në nga 1.20 deri në 1.26 e 27 cent për një litër naftë.

Javën e kaluar, në medie është raportuar se do të ketë ulje të çmimit të naftës nga dita e hënë, mirëpo kjo nuk ndodhi, çmimet mbetën të njëjtat.

Rritja e naftës nuk e ka përfshirë vetëm vendin tonë, por kjo rritje ka ndodhur në nivel rajonal e global, por siç është raportuar në media çmimi ka rënë në nivel ndërkombëtar.

Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës është kontaktuar nga “lajmi.net” për ta pyetur në lidhje me çmimin dhe ai është shprehur se çmimi diktohet nga BERZA dhe organizata prodhuese OPEC.

“Sa i përket çmimit të derivateve në nivel ndërkombëtar ka rënie, çmimin e dikton BERZA dhe organizata prodhuese OPEC, ku për momentin kjo organizatë ka prodhim më të lartë dhe kjo e ka ulur edhe çmimin në tregjet ndërkombëtare edhe në Kosovë e regjion”, ka thënë Berjani.

Ai është shprehur se konsumatorët në Kosovë dhe kompanitë kosovare janë duke u shërbyer me çmimin më të lirë në regjion.

“Konsumatorët dhe kompanitë kosovare janë duke u shërbyer me çmimin më të lirë në regjion. Çmimi i naftës në Kosovë është më i lirë se në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni”, ka thënë Berjani.

I pyetur në lidhje me çmimin e naftës dhe luhatjen e çmimit, ai ka thënë se në dy javët e fundit çmimi ka qenë stabil, dhe se ka pasur një rënie të lehtë, por sipas tij prapë ka rritje.

“Gjatë kësaj periudhe dy javore ka qenë çmimi më stabil. Kemi një rënie të lehtë të çmimit, por prapë ka rritje. Prapë, qytetarët e Kosovës, janë duke u furnizuar me çmimet më të lira në regjion”, ka thënë Berjani.

Por, ndryshe nga Berjani, mendon Selatin Kaçaniku nga organizata Konsumatori. Ai ka thënë se kur çmimi i naftës ngritët në BERZA-n botërore, ngritët edhe në Kosovë, por kur bie në BERZA botërore, në Kosovë nuk bie fare.

“Sa herë që çmimi i naftës ngritët në BERZA-në botërore ngritët edhe në Kosovë, pa marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për stoqet e vjetra të derivateve të naftës, të importuara me çmim më të lirë. E kundërta, kur kemi zbritje të çmimit të derivateve në BERZA-në ndërkombëtare, tek ne vazhdon të na ofrohen derivatet me çmime të larta”, ka thënë Kaçaniku për “lajmi.net”.

Ai është shprehur se sa herë që kanë kërkuar përgjigje tek kompetentët, përgjigja e tyre ka qenë se tregu është rregullatori i çmimeve.

I pyetur për luhatjet e çmimeve, Kaçaniku ka theksuar se luhatjet e tilla janë në favor të tregtuesve me derivatet e naftës dhe gjithmonë janë në dëm të qytetarit.

Ai po ashtu ka theksuar se konsumatori i derivateve, i kontribuon arkës së shtetit me afër 20 për qind të buxhetit ose mbi 300 milionë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Alenka Ermenc, gjeneralmajore, ka marrë të mërkurën postin e shefes…