Bie mbështetja zgjedhore për Putinin
22 nëntor 2018
| 12:00
Një sondazh i pavarur ka konstatuar se vlerësimi zgjedhor për presidentin rus, Vladimir Putin, ka rënë nën 60 për qind për herë të parë në pesë vjet.
Sipas anketës që realizoi Qendra ruse “Levada”, 56 për qind e votuesve potencialë kanë thënë se do të votonin për Putinin në zgjedhjet e vitit 2024 – 10 për qind më pak se një vit më parë.
Bazuar në anketa të ngjashme të “Levada”-s, hera e fundit që mbështetja zgjedhore për Putinin ka qenë nën 60 për qind, ka qenë në vitin 2013.
Putin, i cili ka qenë herë president, herë kryeministër i Rusisë qysh në vitin 1999, është betuar për mandatin e ri 6-vjeçar në muajin maj.
Zgjedhjet presidenciale janë mbajtur në mars dhe ato janë përshkuar me akuza për mashtrime.