Bie nga kati i 68-të i një ndërtese në Hong Kong, vdes francezi i njohur për sporte ekstreme
Një burrë francez i njohur për sporte ekstreme dhe ngjitjen e rrokaqiejve nëpër botë ka vdekur pasi ra nga kati i 68-të i një ndërtese në Hong Kong.
Remi Lucidi, 30-vjeçar, ishte në kompleksin Tregunter Tower në Hong Kong ku ra për vdekje pasi thuhet se u bllokua jashtë një apartamenti ‘penthouse’, transmeton Telegrafi.
Sipas hetuesve, Lucidi shkoi në pallat dhe i tha rojës së sigurisë se po vizitonte një mik në katin e 40-të.
Lucidi besohet të ketë arritur në katin e fundit dhe sipas South China Morning Post, ai u bllokua jashtë dhe trokiti furishëm në një dritare, duke zënë vëmendjen e një mirëmbajtëse brenda.
Atij si duket rrëshqiti dhe u rrëzua, duke vdekur në çast.
Zyrtarët e Hong Kongut pretendojnë se roja e sigurisë së ndërtesës u përpoq të vërtetonte pretendimet e tij, që tha se po vizitonte një mik në katin e 40-të, por francezi tashmë ishte larguar nga aty.
Një burim tha se Lucidi u pa për herë të fundit i gjallë duke trokitur në një dritare të një penthouse në katin e 68-të të Tregunter Tower rreth orës 19:30, gjë që bëri që një mirëmbajtëse të telefononte policinë.
Policia gjeti në vendngjarje kamerën e tij, e cila përmbante video të sporteve ekstreme. Ende nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes së tij.