Bie numri i martesave në Kosovë, ky është numri i kurorëzimeve në tremujorin e parë të vitit
Qytetarët e Kosovës dita-ditës po i ikin martesës. Dëshmi për këtë janë të dhënat statistikore të publikuara së fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Muaji prill ishte i mbushur plot me dasma. Vetëm në familjen e presidentit Hashim Thaçi, ishin dy të tilla. Dy nipat e Thaçit kanë vendosur që ta kurorëzojnë dashurinë e tyre me martesë po këtë muaj.
Fund beqarisë gjatë këtij muaji vendosën që t’i japin edhe e bija e këngëtares Shkurte Fejza, Gresa dhe i biri i këngëtares Remzije Osmani, Hamëza.
Gjithë këto dasma janë realizuar në restorantet më luksoze të vendit. Aty ishin mbledhur një numër i madh i të ftuarve, në mesin e të cilëve kishte edhe fytyra të njohura publike.
Por, këta nuk janë të vetmit që janë kurorëzuar gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti në vend janë lidhur mbi 5 mijë kurorëzime nëpër gjithë komunat e vendit.
Numër i madh i kurorëzimeve janë realizuar edhe gjatë vitit të kaluar. Rreth 34 mijë kosovarë kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë gjatë vitit 2018.
E muaji kur shumica e kosovarëve zgjedhin të martohen mbetet gushti, ndërsa më së paku dasma realizohen në qershor.
“Frekuenca e martesave ishte më shumë e shprehur në muajin gusht me 12.1 për qind të rasteve të kurorëzuarave, ndërsa muaji me më pak kurorëzime ishte muaji qershor me 6.3 për qind”, është thënë në raportin e ASK-së.
Sipas ASK-së, që nga viti 2015 në vend janë lidhur rreth 68 mijë kurorëzime.
Bazuar në këto statistika, kosovarët nga viti në vit, po i ikin martesës. Krahasuar me vitin 2017, numri i kurorëzimeve është ulur për rreth 1 mijë.
Për këtë janë shprehur të shqetësuar edhe sociologët.
Sociologu Besim Gollopeni, i ka thënë gazetës “Express” se ka një trend negativ të numrit të kurorëzimeve në shoqërinë kosovare. Madje, ai ka thënë se një trendi i tillë negativ ka tendencë të vazhdoj edhe më tutje.
“Në shoqërinë kosovare në vitin 2002 janë realizuar 18 280 kurorëzime (ASK), në vitin 2010 janë 18 289 kurorëzime dhe në vitin 2017 sipas ASK-së gjithnjë, janë realizuar 17 410 kurorëzime. Pra, kemi me një trend negativ të numrit të kurorëzimeve në shoqërinë kosovare. Një trendi i tillë negativ ka tendencë të vazhdoj edhe më tutje”, ka thënë Gollopeni.
Ndryshe, për dallim prej atyre që janë kurorëzuar këtë vit, një numër jo i vogël i kosovarëve kanë vendosur që t’i dhënë fund martesës.
Vetëm gjatë këtij viti në vend janë shkurorëzuar rreth 130 çifte. Ndërkohë, sipas ASK-së, gjatë vitit 2018 janë realizuar mbi 700 divorce.