Bie Qeveria e Letonisë
Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, ka bërë me dije se ai dhe qeveria e tij do të japin dorëheqjen brenda javës.
“Këtë të enjte do t’ia paraqes presidentit dorëheqjen time dhe të këtij kabineti”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp, shkruan “Reuters”.
Krahas fqinjëve të saj baltik, Lituanisë dhe Estonisë, Letonia është zëri kryesor në shtytjen e Bashkimit Evropian dhe NATO-s për të rritur presionin ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.
Partia e qendrës së djathtë të Unitetit të Karins kishte fituar zgjedhjet kombëtare në tetor 2022, duke fituar 26 nga 100 vendet në një parlament të thyer, ku përfaqësohen shtatë parti.
Ai ka fajësuar partnerët e koalicionit “që bllokojnë punën për prosperitet dhe rritje ekonomike”.
Partia e Karins qeveriste vendin e Bashkimit Evropian prej 1.9 milion banorësh, me mbështetjen e Aleancës Kombëtare Konservatore dhe Listës së Bashkuar të partive më të vogla duke i dhënë atij një shumicë të ngushtë parlamentare.
Por, marrëdhëniet me koalicionin ishin përkeqësuar pasi ai nuk kishte arritur të paraqiste një kandidat të përbashkët në zgjedhjet presidenciale në maj.
Të premten, Karins ka bërë një përpjekje të dështuar për të sjellë më shumë parti në qeveri.