Bie tregtia Gjermani-Iran për shkak të sanksioneve të ShBA-së
Rënia e tregtisë në mes të Gjermanisë dhe Iranit, ka dhënë shenja se sanksionet e Shteteve të Bashkuara janë duke ndikuar kur shtetet marrin vendime nëse duhet bashkëpunuar me Teheranin.
Eksportet gjermane në Iran kanë rënë për 48 për qind apo 759 milionë dollarë në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”, duke pretenduar se disa kompani nuk dëshirojnë t’i prishin raportet me Shtetet e Bashkuara, pasi Uashingtoni ka rivendosur sanksione ndaj Teheranit.
Ngjashëm, edhe shitjet e Iranit në Gjermani kanë rënë në periudhën e njëjtë në 123 milionë dollarë, apo 43 për qind.
“Kompanitë gjermane janë të detyruara të zgjedhin në mes të aktiviteteve tregtare në Iran apo Shtetet e Bashkuara, andaj është e qartë se cilën e preferojnë”, ka thënë mekanizmi gjerman për tregti, BGA.
Sanksionet e ShBA-së parashohin ndëshkim për kompanitë që bëjnë tregti me Iranin.
Prej kur ShBA-ja ka nisur zbatimin e tyre, eksportet e naftës iraniane kanë rënë në 300,000 fuçi në ditë, ose më pak.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia e këtij shteti do të zvogëlohet për 6 për qind, derisa edhe shkalla e papunësisë mbetet e lartë, 12 për qind.
Presidenti amerikan, Donald Trumpi ka larguar një vit më parë ShBA-në nga marrëveshja bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.
Sipas marrëveshjes, Teherani lirohet nga sanksionet ndërkombëtare, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.
Gjermania, Franca dhe Britania, që po ashtu kanë nënshkruar marrëveshjen, kanë tentuar vazhdimisht që të ruajnë zbatimin e këtij dokumenti.
Presidenti Trump ka thënë se ka gatishmëri për të biseduar me liderët iranianë, pavarësisht fushatës së tij “me presion maksimal”, derisa Teherani i konsideron veprimet amerikane si “terrorizëm ekonomik”.