Bie vlera e Rashicës
21 korrik 2020
| 18:36
Milot Rashica është në pritje të finalizimit të largimit nga Werder Bremeni. Ylli i Kosovës spekulohet se do të transferohet në Leipzig gjatë afatit kalimtar të verës.
Në ndërkohë, rezultatet e dobëta të ekipit gjatë këtij sezoni në Bundesligë duket se kanë ndikuar të zbresë vlera e Rashicës në treg. Rashica e nisi sezonin me vlerë prej 20 milionë eurove në treg që, megjithatë, u ngrit në 35 milionë euro pas paraqitjeve të tij të mira, kur i shënoi shtatë gola në pjesën e parë të sezonit.
Megjithatë, tani vlera e tij ka rënë sërish në 22 milionë euro, sipas “Transfermarkt.de”. Leipzigu spekulohet se ka ofruar 15 milionë euro për shërbimet e Rashicës, por Werderi thuhet se kërkon më tepër për shitjen e tij.