Bieberi: Pse Kosova dhe Serbia do ta arrinin marrëveshjen nëse s’ka shpërblim për këtë?
Florian Bieber, profesor në Universitetin e Grazit, ka thënë se nëse marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë do të normalizoheshin nesër, kjo nuk do ta hapte derën e anëtarësimit të Serbisë në BE, dhe as nuk do të kishte ndonjë shpërblim për Kosovën në anën tjetër.
Ai ka kujtuar se Maqedonia e Veriut nuk u shpërblye për gjithçka çfarë bëri për ta hequr bllokadën e Greqisë në rrugën e saj të mëtejshme evropiane dhe se mesazhi i dërguar rajonit në lidhje me këtë është “harrojeni anëtarësimin”.
Bieberi ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk do të marrin asnjë shpërblim edhe pasi ta arrijnë marrëveshjen finale.
“Pse Serbia dhe Kosova do të arrijnë një marrëveshje nëse nuk ka shpërblim për këtë. Unë do të thosha se kjo është veçanërisht e vërtetë për Serbinë, ku mbështetja për pranimin në BE po bie nga viti në vit dhe qeveria nuk do të dëshirojë të anëtarësohet në BE aq shpejt sepse shqetësohet se do të duhet ta përmirësojë sundimin e ligjit”.
“Në këtë moment, është e lehtë të thuash pse do ta bëja atë, ku është shpërblimi, dhe ju mund të jeni plotësisht i bindur se në rast se marrëdhëniet Serbi-Kosovë normalizohen nesër, kjo nuk do t’i hapte dyert për anëtarësimin e Serbisë në BE”, ka thënë Bieberi, raporton “N1”.
Sipas tij, BE-ja duhet të ofrojë një shpërblim për Kosovën dhe Serbinë, sepse derisa integrimi evropian të jetë realist, nuk është e qartë pse këto dy shtete do ta arrinin një marrëveshje.
“Nëse do të isha president i Serbisë tani, nuk e shoh pse do të pajtohesha me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, kur kjo sjell vetëm rrezik politik në vend. Ky vendim nuk do të ishte i popullarizuar dhe shpërblimi për këtë është shumë abstrakt dhe i paqartë”, ka thënë Bieberi.
Ai beson se nëse zhbllokohet procesi i zgjerimit të BE-së, kjo do të ndodhë në muajt e ardhshëm, sepse Sllovenia me siguri do të përpiqet të zgjidhë çështjen gjatë presidencës së saj dhe për këtë qëllim ajo do ta organizojë Samitin e Ballkanit Perëndimor.
Sidoqoftë, ai ka paralajmëruar se një pengesë e madhe për këtë mund të ishin zgjedhjet presidenciale në Francë, si dhe edhe nëse Bullgaria do të hiqte dorë nga bllokimi i Maqedonisë Veriore, Parisi mund të bëhej problem.
“Nëse Bullgaria heq bllokadën pas zgjedhjeve parlamentare, ajo menjëherë do të krijonte një atmosferë pozitive, por nuk mund të jemi të sigurt se bllokadat e reja nuk do të shfaqen menjëherë”, ka thënë Bieberi, duke theksuar se bllokimi i procesit të zgjerimit rrezikon besueshmërinë në Bashkimin Evropian.