Bien aksionet e “Apple”-s
Vlera e aksioneve të gjigantit amerikan, “Apple”, shënoi rënie të martë pas raportimeve se mund ta zvogëlojë prodhimin e telefonit “iPhone 13” për shkak të mungesës globale të çipave.
Kompania e njohur priste që të prodhojë 90 milionë telefona të modelit të ri në çerekun e fundit të këtij viti, por tani po detyrohet që t’u thotë partnerëve se numri i përgjithshëm do të jetë më i vogël për rreth 10 milionë, i thanë burimet revistës “Bloomberg”. Pas këtij raportimi, vlera e aksioneve të kompanisë “Apple” ra për 1.2 për qind.
Prodhuesit që bashkëpunojnë me gjigantin e teknologjisë, “Broadcom” dhe “Texas Instruments”, gjithashtu pësuan rënie për 1 për qind, pasi burimet thanë se këto kompani po kanë vështirësi që ta furnizojnë partnerin “Apple” me kohë me numër të mjaftueshëm të çipave.
Në shtator, “Apple” hodhi në treg katër modele të reja të “iPhone 13”: iPhone 13, iPhone 13 mini, iPhone 13 Pro dhe iPhone 13 Pro Max. Porositë filluan që të bëhen më 17 shtator dhe dërgesat nisën më 24 shtator, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Në korrik, shefi ekzekutiv i kompanisë “Apple”, Tim Cook, i paralajmëroi investuesit se mungesat te prodhuesit bashkëpunues mund t’i prekin shitjet e telefonave “iPhone” dhe tabletëve “iPad”.
Miliona prodhime në disa lloje të industrive varen nga çipat dhe prodhuesit e këtyre pajisjeve po punojnë me kapacitet maksimal në përpjekje për t’i plotësuar kërkesat.